Pasojat e shpërfilljes së unitetit trans-atlantik nga kryeministri Kurti

Prishtinë | 06 Qer 2023 | 11:53 | Nga Afrim Kasolli

Që kur filloi lufta në Ukrainë, diplomatët perëndimorë në vazhdimësi e kanë përsëritur se është interes primar i Perëndimit për të mos lejuar shpërthimin e vatrave tjera të krizave në Evropë. Këtu bënte pjesë edhe Kosova. Invazioni rus mbi një shtet të njohur ndërkombëtarisht solli po ashtu një unitet të theksuar trans-atlantik. E kundërta e asaj që kishte shpresuar Putini për të përfituar strategjikisht dhe taktikisht nga një Perëndim i përçarë.

Kjo frymë e unitetit u vërejt edhe në procesin e dialogut Kosovë-Serbi. SHBA-të dhe dhe shtetet evropiane, sikur se Franca, Gjermania etj, u angazhuan bashkërisht gjithnjë e më shumë në kuadër të këtij procesi. Ishte e ditur që nga fillimi se ajo palë qe do te definohej prej tyre si sabotuese e procesit do të penalizohej nga të gjitha këto vende. Në këtë rast, nuk ishte si në kohën e ish-presidentit Trumpit kur disa kryeqendra evropiane dhe Uashingtoni nuk e flisnin të njëjtën gjuhe diplomatike dhe politike edhe për Kosovën. Nëse të qortonte Amerika mund të gjeje mbrojtje te Gjermania.

Madje, në atë kohë diskutohej gjithnjë e më shumë edhe ideja e autonomisë strategjike të Evropës, me synim edhe kufizimin e omnipotencës amerikane në kontinent. Këtij qëllimi thuhej se do t’i shërbente edhe integrimi e Rusisë në kuadër të politikave të përbashkët të sigurisë evropiane. Vetëm lufta e Ukrainës tregojë se sa iluzore janë synime të tilla. Dhe se nuk mund të ketë siguri evropiane pa një unitet trans-atlantik dhe Amerikën si garantuese të tij.

Është ky unitet që si duket Kurti e shpërfilli, çfarë ndikoi që Kosova të qortohet nga të gjitha këto shtete për ngjarjet e fundit në veri. Ai harroi se tashmë Gjermania dhe Amerika janë se bashku në luftë kundër Rusisë. Dhe se nuk mund të përfitojë nga njëra nëse konfrontohet me tjetrën, sikur herën e parë. Këtë po ia dëshmon edhe shtypi gjerman. Nuk ka më për të artikuj në mediet e këtij shteti, sikur ato që dikur e përshkruanin atë si “Herkuli i Kosovës”.

Prandaj, edhe ai mbet i vetmuar në teatrin global të politikës, me përjashtim të solidaritetit nga mbështetësit e tij.

Të ngjashme