Pastori amerikan në gjyq në Turqi pas shtypjes së grushtit të shtetit

Prishtinë | 16 Pri 2018 | 15:26 | Nga

Një pastor amerikan përfundon në gjyq në Turqi me akuzën për “dhënie ndihme të një organizate terroriste”, në një çështje e cila ka dobësuar marrëdhëniet mes Turqisë dhe Amerikës, shkruan BBC.

Andrew Brunson akuzohet se ka ndihmuar një grup të drejtuar nga Fethullah Gulen, predikuesi musliman i mërguar ky i fundit, të cilin zyrtarët turq e lidhin me grusht shtetin e dështuar në 2016n.

Brunson i cili drejtonte një kishë protestante në qytetin turk të Izmirit, u arrestua në tetor të 2016-s.

Nëse dënohet, ai do të përballet me 35 vite pas hekurave.

Brunson, 50 vjeç, një pastor evangjelist me origjinë nga Karolina e Veriut, u shfaq në gjykatë sot (datë 16 prill 2018) në qytetin e Aliagës, përkrah avokatit të tij Cem Halavurt.

Gjithashtu në gjykatë ndodhej edhe Sam Brownback, ambasadori amerikan për liritë fetare dhe senatori amerikan Thom Tillis.

Avokati i pastorit i quajti akuzat “totalisht të pabaza” dhe tha se bazohen në informata nga informatorë anonimë.

Ai i tha agjencisë së lajmeve AFP në krye të seancës se klienti i tij ishte “nervoz dhe i emocionuar, pasi është hera e parë për të që paraqitet para një gjykatësi.

Ai ka pritshmëri dhe shpresë”.

Prokurorët thanë se Brunson bashkëpunoi me një grup të drejtuar nga Gulen, i cili jeton në mërgim në Pensilvani të SHBA-së, si dhe me Partinë e Punëtorëve Kurdë.

Turqia ka shpallur rrjetin e Gulenit dhe Partinë e Punëtorëve Kurde si grupe terroriste.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme