Pastrohen zonat e minuara në Junik gjatë luftës, kryetari Shehu: U kthyen në vende të sigurta

Prishtinë | 24 Mar 2026 | 21:17 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Komunës së Junikut, Ruzhdi Shehu, ka njoftuar se kanë pastruar zonat e prekura nga mbetjet e luftës, duke thënë se kështu kanë përmbyllur një proces jetik për sigurinë dhe të ardhmen e kësaj komune.

Ai ka thënë se nga zonat kufitare në Bjeshkët e Junikut e deri në zemër të qytetit, hapësirat që dikur përbënin rrezik janë kthyer në vende të sigurta për jetën, zhvillimin dhe të ardhmen e komunitetit.

Shehu ka deklaruar se pastrimi i këtyre zonave u mundësua nga organizata HALO Trust dhe mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë, veçanërisht Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Zvicrës, përfaqësuesit e të cilave kanë marrë pjesë në këtë ngjarje.

“Isha i nderuar që në këtë ngjarje të rëndësishme të kemi praninë e përfaqësuesve të lartë ndërkombëtarë, përfshirë të ngarkuarën me punë të ambasadës Amerikane në Kosovë znj. Anu Pratipati dhe ambasadorin e Zvicrës në Kosovë z. Jürg Sprecher, si dhe shumë partnerë e bashkëpunëtorë që kontribuan në këtë arritje të madhe”, ka thënë Shehu.

Të ngjashme