Dhjetëra vullnetarë, banorë e zyrtarë komunalë i janë bashkuar aksionit të sotëm në Janjevë, ku u larguan dhjetëra thasë me mbeturina përgjatë brezit rrugor si dhe pesë kamionë me mbetje të përziera nga një deponi e madhe.
Aksioni i sotëm në Janjevë që u realizua në kuadër të Fushatës më të madhe në vend “Ta Pastrojmë Kosovën”, filloi nga shkolla fillore “Shtjefën Gjeqovi”.
Besnik Shabiu nga organizata “Let’s Do It Kosova” ka bërë të ditur se në kuadër të kësaj fushate deri më tani janë pastruar 350 deponi ilegale të mbeturinave në gjithë Kosovën.
“Fatkeqësisht numri i deponive ilegale në Kosovë është mjaft i madh, mirëpo në momentet që ne po flasim themi se mbi 350 deponi ilegale janë eliminuar në gjithë Kosovën, prejse ka filluar fushata. Po shihet një interesim i madh i gjithë komunave që t’i qasen aksionit të pastrimit dhe kur të gjithë e marrin me përgjegjësi, si akterët institucionalë, ashtu edhe qytetarët, po besoj që deri më datën 15 dhjetor fundi i deponive ilegale do të vjen shumë shpejt. Në anën tjetër, dje në Komunën e Istogut filloi edhe trajnimi i mësimdhënësve, i cili ka për qëllim ngritjen e kapaciteteve të mësimdhënësve në fushën e mjedisit jetësor. Nga Komuna e Istogut do të vazhdohet me Komunën e Klinës, Skenderaj, po ashtu Lipjani dhe në komunat të tjera, për ta forcuar edhe komponentin e edukimit, sepse e dimë se nuk mjaftojnë vetëm aksionet e pastrimit”, ka thënë Shabiu.
Kryetari i Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti tha se përmes këtyre aksioneve synohet përçimi i mesazheve se sa e rëndësishme është mirëmbajtja e ambientit.
“Në agjendën tonë, mjedisi ka një trajtim të veçantë. Me buxhetin e aprovuar për vitin e ardhshëm synojmë të rregullojmë shtratin e lumit Janjeva dhe kyçjet e kanalizimit. Kemi hyrë në një agjendë të furnizimit me shporta të mbeturinave për çdo familje, por deri atëherë duhet të kemi kujdes që të mos krijojmë deponi ilegale të mbeturinave. Kemi nënshkruar marrëveshje me ndërmarrjen rajonale “Pastrimi”. Janë 3000 shporta për 300 mijë familje, jo vetëm në Janjevë, por në fshatrat kryesore të Lipjanit”, ka thënë Ahmeti.
Ndërsa, kryetari i Janjevës, Behxhet Kongjeli kërkoi vetëdijesimin e qytetarëve për ruajtjen e mjedisit, në mënyrë që të mos hedhen mbeturinat vend e pa vend.
“Edhe ne në Janjevë kemi marrë këtë aksion që sadopak të pastrojmë. Në Janjevë përfshihen rreth 30 % e banorëve me korpa pastrimi. Vitin e ardhshëm do të përfshihen të gjitha lagjet. Dashtë Zoti që të vetëdijesohemi edhe ne, edhe çdo qytetar që të mos gjuajmë mbeturina vend e pa vend”, ka thënë Kongjeli.
Aksioni i nisur sot në orën 11:00 në Janjevë, do të vazhdojë gjatë tërë ditës, ndërsa mbeturinat e mbledhura do të largohen nga kompania “Pastrimi”.
Let’s Do It Kosova ju njofton se çdo ditë po vazhdojnë aktivitetet për pastrimin e Kosovës dhe ngritjen e vetëdijes së qytetarëve për ruajtjen e mjedisit.
Në kuadër të Fushatës “Ta Pastrojmë Kosovën” dje edhe sot në Komunën e Istogut është mbajtur trajnimi “Ngritja e kapaciteteve të mësimdhënësve në fushën e mjedisit jetësor”, i cili synon rritjen e fokusit të mësimdhënësve në temat që lidhen me edukimin mjedisor si dhe zhvillimin e aktiviteteve konkrete që promovojnë rëndësinë e ruajtjes së mjedisit jetësor.