Në kuadër të aktiviteteve për nder të Ditës Ndërkombëtare të Mjedisit, vullnetarë të shumtë i janë bashkuar aksionit të pastrimit te Ujëvara e Mirushës, organizuar nga “Let’s Do It” në bashkëpunim me Lëvizjen Globale “River CleanUp”.
Drejtori Ekzekutiv i “Let’s Do It”, Luan Hasanaj, ka thënë se Ujëvara e Mirushës është një ndër pikat më të mira turistike në vendin tonë, andaj është e trishtë që si e tillë të ndoten nga njerëz të pandërgjegjshëm.
“Jemi në Ujëvarën e Mirushës, në njërën prej pikave më të mira turiste të vendit tonë, e cila nuk është në gjendjen më të mirë që do të duhej të ishte. Pra, lokacionet si ky e promovojnë më së miri vendin tonë, vlerat tona të natyrës, mirëpo krahas kësaj i promovojmë vlerat e tona të kulturës dhe nëse ne hedhim mbeturina në këto lokacione atëherë po tregojmë që megjithatë niveli jonë nuk është në pikën që duhet”, ka thënë Hasanaj.
Nga Ujëvara e Mirushës, ai ka bërë të ditur se me aktivitete do të vazhdohet edhe nesër, meqë vullnetarët do të pastrojnë lokacionin ku bashkohen Drini i Bardhë dhe Drini i Zi.
“Me këtë intensitet sigurisht që do të vazhdojmë, nëpër lokalitete të tjera, nesër do të jemi në Shqipëri së bashku me shumë vullnetarë ku do të pastrojmë hapësirën ku bëhen bashkë Drinin e Bardhë dhe Drini i Zi. Edhe një herë dua të them që promovimi më i mirë i vendit tonë është përmes ruajtjes dhe kujdesit për këto hapësira siç është Ujëvara e Mirushës, e Drinit si dhe shumë e shumë lokacione të tjera të cilat i kemi në Kosovë”.
Mesazhe të ngjashme për ruajtjen e pasurive natyrore, siç është Mirusha, përçoi edhe drejtori i Lëvizjes Globale “River Cleanup”, Tomas De Goore.
“Një pamje shumë e bukur pranë kësaj ujëvare të madhërishme. Vendi juaj është shumë i bukur mirëpo ka kontrast është paradoks se si njerëzit mund të ndotin bukuri kaq të mëdha natyrore. Kështu që kisha dashtë me ju bë thirrje njerëzve që vinë këtu, e kanë shumë të thjeshtë që të ndihmojnë – mjafton të mos hedhin mbeturina e t’i lënë prapa, por t’i shijojnë pamje të tilla. Sot ka qenë aksioni i dytë në Kosovë, mirëpo kemi pas aksione gjithashtu në Shqipëri në Greqi, kështu që ne si ‘River Cleanup’ dëshirojmë t’ bashkojmë njerëzit në gjithë botën për pastrimin e lumenjve. Kësaj radhe kemi 10 lumenj që dëshirojmë t’i pastrojmë, dhe çdo vit synojmë më shumë. Esenca e këtij aksioni është që me i bashku njerëzit për një qëllim të përbashkët që është të mbajmë lumenjtë të pastër”, ka thënë De Goore.
Aksionit të sotëm te Ujëvara e Mirushës i janë bashkuar edhe nxënës të shumtë të shkollës “Asim Vokshi” nga fshati Panorc, me ç’rast mësimdhënësi Gëzim Durakaj bëri thirrje për kujdes ndaj natyrës. Përveç pastrimit kjo ditë ishte e rezervuar edhe për aktivitete argëtuese, ku vullnetarët vizatuan simbole qe prezantojnë mjedisin e pastër.
Aktivitetet për pastrimin e këtyre pikave kanë filluar dje, në Ditën Ndërkombëtare të Mjedisit, me pastrimin e lumit Drini i Bardhë në Radavc të Pejës.
Këto aktivitete janë mbështetur edhe nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, si dhe Meridian Express.
Ashtu siç kemi njoftuar, pastrimi i lumenjve është një ndër objektivat kryesore të “Let’s Do It” për këtë vit, për çka do të organizohen aktiviteteve të vazhdueshme për gjatë muajve në vijim. Për ne, është jashtëzakonisht shqetësuese se si qytetarët, respektivisht vizitorët e këtyre pikave turistike, nuk po kanë kujdes ndaj natyrës dhe po i dëmtojnë pasuritë natyrore të vendit tonë.