Pasuria e kabinetit qeveritar, si dhe e 120 deputetëve të Parlamentit të Kosovës vlerësohet rreth 300 milionë euro. Vetëm zëvendëskryeministri Ramiz Kelmendi ka deklaruar pasuri në vlerë prej 106 milionë eurosh.
Pothuajse çdonjëri nga 120 deputetët e Parlamentit të Republikës së Kosovës ka pasuri milionëshe, duke përfshirë këtu patundshmërinë e deklaruar, si dhe depozitat e majme që i mbajnë në sistemin bankar.
Sipas formularëve të deklarimit të pasurisë të publikuar dje nga Agjencia Kosovare Kundër Korrupsionit (AKK), gazeta “Zëri” ka bërë një kalkulim të pasurisë së deklaruar të zyrtarëve të lartë shtetërorë në Kosovë, e cila rezulton të jetë rreth 300 milionë euro.
Më i pasuri nga të gjithë politikanët është zëvendëskryeministri në largim Ramiz Kelmendi, i cili ka deklaruar aksione në rrjetin e supermarketeve “ETC”, që vlejnë hiç më pak se 106 milionë euro.
Ai po ashtu ka deklaruar se ka në pronësi dy shtëpi në vlerë prej 230 mijë eurosh, toka në vlerë prej 45 mijë eurosh, si dhe 3200 euro para të gatshme në bankë.
Pas Kelmendit me pasuri aktualisht prin kryetari i Komunës së Mitrovicës Jugore Agim Bahtiri dhe pasuria, të cilën ky e ka deklaruar në Agjencinë Kundër Korrupsionit, është më e madhe se 7 milionë euro.
Ai ka deklaruar se ka në pronësi 4 shtëpi në vlerë prej 1 milion e 360 mijë eurosh, si dhe një sipërfaqe të madhe të tokës në vlerë prej 6.2 milionë eurosh.(Zeri)