Patriotët

Prishtinë | 07 Shk 2026 | 10:19 | Nga Ekonomia Online

Patriotizëm është që të krijosh kushte për një jetë normale – jetë e cila mund të jetohet me të ardhurat e krijuara nga puna e përnjëmendtë, pa frikën se nesër do të rritet, për të 500-n herë, çmimi i rrymës, a i bukës, a i naftës, e që më pas të të akuzojnë se nxehesh shumë më tepër sesa duhet; se në vend të bukës është mirë me hëngër ëmbëlsira dhe se më mirë është të ecësh sesa të vozitësh, edhe nëse jeton nja 30 kilometra larg vendit të punës

Pra, që nga java e shkuar mbaroi rrëfimi për votat e vjedhura sa i përket rinumërimit. Tash u mbetet prokurorive themelore që t’i gjejnë dëshmitë për t’i gjykuar ata të cilët, kësaj radhe, u zbuluan duke vjedhur vota për kandidatë të caktuar brenda partive garuese. Pa dyshim, në mbase zgjedhjet me më së paku probleme, prejse kemi nisur të votojmë në Kosovën e lirë, kjo është një njollë tepër e madhe që e ndot një proces demokratik që u takon qytetarëve, e jo hajnave të votave.

Kanë mbetur edhe pak orë me gjasë, që të dihet përfundimisht se çfarë ka për të thënë Gjykata Supreme në lidhje me pesë ankesat që i janë shtruar. Po qe se edhe kjo instancë i refuzon ankesat si të pambështetura në ligj, hapet rruga për certifikimin e rezultateve dhe, më në fund, konstituimin e Kuvendit.

Në rrethanat në të cilat gjendemi, nuk e besoj se do të duhej pritur 30 ditë që ai të konstituohet. Për më tepër, nuk e besoj as që Kuvendi do të duhej të mbeste i pakonstituuar për shkak të kuazipatriotizmit që janë duke shpërfaqur disa eksponentë politikë. Uroj që sorra nuk ua ka pirë mendtë dhe se mund të kemi Kuvend që javën që vjen.

Kosova nuk do të ishte kjo që është po qe se nuk do të merrej me, për nuk e di të satën ditë me radhë, interpretimin e aktgjykimit të Kushtetueses sa i përket zgjedhjes së nënkryetarit të Kuvendit nga radha e serbëve.

Kushtetuesja tha se “të drejtën e propozimit e ka shumica e deputetëve të këtij komuniteti në Kuvend” dhe se aplikimi i shortit herën e shkuar si mjet zhbllokimi, zbatuar sipas “interpretuesit suprem” të Rregullores së Kuvendit, Dimal Basha, ka qenë i gabuar.

Pra, meqë shumicën absolute të përfaqësuesve serbë në Kuvend e bën Lista Serbe, nuk do të ketë tjetër opsion pos që ata ta propozojnë kandidatin/kandidaten për votim. Pra, do të mund t’i futemi 27 herë votimit të 9 kandidatëve të propozuar nga LS, dhe në fund mund të ndodhë që nënkryetari/ja të mos votohet. Dështimi për ta zgjedhur këtë nënkryetar/e, do ta shtynte Kosovën edhe më afër një gremine përherë e më të madhe – pa fije nevoje.

Tashmë e kemi kuptuar për të gjashtën, a shtatën, a nuk e di të satën herë, që patriotët më të mëdhenj që i ka Kosova janë Sami Kurteshi dhe Alban Krasniqi – përfaqësuesit e VV-në në KQZ. Sa herë ka ndonjë çështje që duhet vendosur në lidhje me Listën Serbe, vota e tyre do të jetë kundër, ngase ata tashmë e kanë shpallur LS-në organizatë terroriste. Pra, shumë të qartë na e kanë bërë se nuk ua certifikojnë rezultatet kandidatëve të LS-së – pra mund të rrinë rehat sepse shfaqjen për konsumin vendor e kanë luajtur për mrekulli.

E kanë luajtur rolin, ani pse Kurteshi, si ish-Avokat i Popullit dhe Krasniqi, si bashkëshort i ish-ministres së Drejtësisë dhe edhe vetë jurist i diplomuar, e dinë shumë mirë se KQZ-ja nuk ka kompetenca për ta shpallur këdo terrorist a antiterrorist, dhe se për të mos i njohur rezultatet e një subjekti politik, ky i fundit do të duhej të ndalohej me aktgjykim të Kushtetueses, apo të shpallej terrorist nga Qeveria e Kosovës.

Meqë asnjëra nuk ka ndodhur, kot së koti, dy patriotët e ndihmuan shtyrjen e certifikimit të rezultateve duke e detyruar LS-në që të ankohej në PZAP. Dhe, si përherë, PZAP-ja vendosi se vendimi i KQZ-së ishte i kundërligjshëm dhe e detyroi atë që t’ua njohë rezultatet deputetëve të këtij subjekti politik.

* * *

Po mirë. Na e bënë të qartë që patriotizmin duhet kërkuar në VV, si të vetmit që “ja, u përpoqën ta ndalnin të keqen, por mbetën të vetmuar në përpjekjet e tyre patriotike”. Ani pse Qeveria e Kosovës është një nga subjektet që çështjen e ndalimit eventual të LS-së mund ta ngrejë te Gjykata Kushtetuese.

Pra, meqë edhe ky kapitull i serialit “KQZ” përfundoi, tash duhet vepruar me pragmatizëm dhe në interes të qytetarëve që interesat e ngushtë partiakë i kanë mbajtur në krizë politike e ekonomike për më shumë se një vit. Në çastin kur të certifikohen rezultatet, Osmani me urgjencë duhet ta ftojë konstituimin e Kuvendit. Nga ana tjetër, deputetët duhet të mblidhen në datën e caktuar dhe brenda ditës t’i përfundojnë të gjitha procedurat për t’u konstituuar.

Kësaj radhe nuk do të ketë cirk për zgjedhjen e kryetarit/kryetares dhe nuk do të duhej të kishte cirk as për zgjedhjen e nënkryetarëve nga radha e partive shqiptare e as nga radha e minoriteteve. Dhe mënyra më e lehtë është nëse të pestit zgjidhen në dy pako, siç është vepruar përherë deri herën e shkuar, kur u nda vota në tresh.

Për të mos na i prishur edhe ato pak nerva që na kanë mbetur, deputetët do të duhej t’i siguronin ato 61 vota të nevojshme që të kalojnë të gjithë nënkryetarët dhe ta kemi Kuvendin e konstituuar në afat rekord. Dhe jo, fare nuk do të jetë me rëndësi se kush votoi për, kush abstenoi a kush votoi kundër, sepse nuk ka alternativë tjetër, pos të shkaktohet edhe një krizë kushtetuese, e që të pritet edhe nja gjashtë muaj për të kuptuar se çka ndodhë nëse Kuvendi nuk konstituohet. Sepse nuk i kemi as një muaj, e lëre më gjashtë, për t’i shmangur edhe një palë zgjedhje të përgjithshme.

* * *

Në këtë çast, më së paku qytetarëve na konvenojnë zgjedhjet e reja. Sinqerisht, isha jo pak e befasuar me numrin e votuesve në dhjetor dhe isha absolutisht e habitur me rezultatin përfundimtar që ia dha shumicën absolute mes partive shqiptare VV-së.

Nuk e besoj se VV-ja do ta rrezikojë humbjen e pozitës së fituar, që përkthehet në fuqinë e 57 deputetëve që mund ta kalojnë çfarëdo ligji në çfarëdo kohe kur kërkohet gjysma plus një votë e kuorumit për ta mbajtur seancën. Ky është rezultat që, nuk e besoj, do të mund të përsëritej në çfarëdo zgjedhjesh të parakohshme që do të mund të mbaheshin brenda disa muajsh.

Nëse partitë politike e kanë nijet të na fusin në krizë të re kur të vijë puna e zgjedhjes së kryetarit/kryetares së shtetit, atëherë së paku le t’i kryejnë nja dy tri punë paraprakisht: një, që ta konstituojnë Kuvendin; dy, që ta kemi një kryetar/e të Kuvendit që në rast se dështon zgjedhja e kryetarit/es së shtetit, bile ta kemi dikë ushtrues detyre për nja gjashtë muaj dhe tre, që ta kalojnë buxhetin për këtë vit dhe që t’i miratojnë marrëveshjet ndërkombëtare që do të duhej të na sillnin një injeksion jo të vogël prej nja 800 milionë eurosh.

Dhe prapë po e them, ama hiç s’është me rëndësi se a do të votojë ky/kjo apo ai/ajo nënkryetarin nga LS – për shkak se Lista Serbe është realitet që nuk mund të shlyhet veç pse Samiu a Albani duan, ndërkohë që, madje, udhëheq me më së shumti komuna në Kosovë (10) – sado absurd që të jetë ky rezultat i decentralizimit të konceptuar keq. Shfuqizimi i LS-së nuk do të ndodhë me vendime joligjore. Përkundrazi. Mund të ndodhë vetëm nëse serbëve të Kosovës u ofrohet një alternativë tjetër, që nuk është e varur nga Beogradi. E kjo punë nuk ndodh as me vendime kuazipatriotike e as nuk është gjë që kryhet brenda natës.

E meqë e nisëm me patriotizëm, ta përfundojmë me të.

Nuk ka patriotizëm më të madh, jam e bindur, sesa të punosh për të mirën e vendit tënd dhe të qytetarëve të saj.

Patriotizëm është që t’i arsimosh fëmijët asisoj që nxënien të mos e marrin me t’nime, por që ta lexojnë ndonjëherë ndonjë libër, nga i cili mund të mësojnë më shumë sesa nga përmbledhja në wikipedia apo edhe chatgpt.

Patriotizëm është që ta mbash popullin e shëndetshëm, e të mos e maltretosh sa herë duhet shkuar në ndonjë klinikë ku nuk ka as çarçafë për shkak të “procedurave të prokurimit”, se mos të flas për barnat e listës esenciale që nuk i gjen në institucione shëndetësore, por i gjen në farmacitë n’kojshi me QKUK-në.

Patriotizëm është që të krijosh kushte për një jetë normale – jetë e cila mund të jetohet me të ardhurat e krijuara nga puna e përnjëmendtë, pa frikën se nesër do të rritet, për të 500-n herë, çmimi i rrymës, a i bukës, a i naftës, e që më pas të të akuzojnë se nxehesh shumë më tepër sesa duhet; se në vend të bukës është mirë me hëngër ëmbëlsira dhe se më mirë është të ecësh sesa të vozitësh, edhe nëse jeton nja 30 kilometra larg vendit të punës.

Patriotizëm është ndershmëri e sinqeritet – të kuptuarit se të zgjedhurit politikë duhen të jenë shërbyes të popullit, apo në shërbim të popullit, se mos po ofendohen, dhe të punojnë për mirëqenien e përgjithshme e jo tyren personale.

Ka edhe shumë gjëra të tjera që do të mund të përkufizoheshin si patriotizëm, por nuk po vazhdoj, sepse atyre që mendojnë se populizmi është patriotizëm, është kot t’u flasësh. E sidomos kur e kontrollojnë pushtetin. Në këtë stad, as nuk kanë veshë, e as sy, e as nuk duan të dinë. Sepse janë patriotë.

Të ngjashme