Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, gjatë gjykimit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, përfundoi dëshmia e Paul Williams, ish-këshilltar ligjor i delegacionit të Kosovës në Rambuje.
Williams tha se kishte punuar pa pagesë si këshilltar juridik gjatë negociatave për marrëveshjen e Rambujesë, raporton Ekonomia Online.
Dëshmia e tij zgjati një ditë e gjysmë, dhe në fund ai u mor në pyetje edhe nga mbrojtja e Jakup Krasniqit.
Ndryshe, avokati i Hashim Thaçit, Luka Mishetiq tha se nuk do të kenë dëhsmitarë tjetër për sot. Ndërsa, për javën e ardhshme do të jetë vetëm një, e që dëshmia e tij pritet të zgjasë deri të mërkurën në mëngjes.
Me kaq përfundoi seanca e sotme për të vazhduar të hënën me dëshmitarin e tretë të mbrojtjes.

Dëshmitari Paul Williams tha në Hagë se kryeministri i atëhershëm i Qeverisë në ekzil, Bujar Bukoshi përpiqej të krijonte Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës (FARK).
Këtë deklarim, dëshmitari e bëri duke u përgjigjur në pyetjet shtesë të mbrojtjes së Hashim Thaçit, avokatit Luka Mishetiq.
“Unë e dija se kryeministri Bukoshi përpiqej të krijone FARK-un bazuar fillimisht në Shqipëri që përbëhej nga oficerë shqiptarë ose oficerë që kishin shërbyer në Forcat Ushtarake të Jugosllavisë”, tha ai.
Dëshmitari tha se Bukoshi s’i ka kërkuar kurrë këshillë lidhur me FARK-un që ishte një iniciativë e LDK-së për të krijuar një krah lufte.
“Bujar Bukoshi nuk më ka kërkuar kurrë konkretisht këshillë lidhur me FARK-un, por në bisedat tona me Bukoshin dhe ato me diasporën shqiptaro-amerikane ishte pjesë e bisedave që ekzistonte. Ishte pjesë e tensionit të thellë. Ishte ndërmarrje e re e LDK-së për të krijuar një krah të armatosur.
Sipas asaj që e ka kuptuar, Williams tha që FARK-u do të ishte më efikas për shkak se do të përbëhej nga oficerë të ish-ushtrisë jugosllave e për rrjedhojë do e mënjanonte UÇK-në.
“FARK-u do të ishte aktor shtesë i armatosur joshtetëror i cili do të luftonte në emër të popullit të Kosovës. Duke qenë se do të ishte më profesionist, duke qenë se përbëhej nga oficerë të ish-ushtrisë jugosllave dhe kishte gjasa që të bëhej aktori më efikas dhe efektiv i armatosur joshtetëror dhe për rrjedhojë do të mënjanonte UÇK-në”, tha ai.
Dëshmitarin e mori në pyetje edhe gjyqtari Fergal Gaynor, i cili u fokusua tek roli i Thaçit gjatë periudhës së negociatave në Rambuje.

Dëshmitari Paul Williams tha në Hagë se Hashim Thaçi nuk e kishte autoritetin që të vendoste vetë.
Madje, ai tha që ka realizuar takime edhe me Adem Demaçin i cili ishte kundër marrëveshjes nëse nuk përmendej pavarësia.
Përveç kësaj, ai tha se u bë e qartë se komandantët e zonave duhej të bëheshin pjesë e procesit.
“U bë e qartë si drita e diellit se komandantët e zonës duheshin të bëheshin pjesë e procesit”, u shpreh Williams.
Ai gjithashtu theksoi se brenda objektit ku mbaheshin punimet e marrëveshjes së Rambujesë, ishte e pamundur që të përcaktohej statusi i ardhshëm i Kosovës.
“Brenda përbrenda kështjellës ishte e pamundur që të përcaktohej statusi i ardhshëm i Kosovës”, tha Williams.

Paul Willimas deklaroi se Bujar Bukoshi hezitonte që të ofronte ndihmë financiare për UÇK-në nga burimet që janë mbledhur nga diaspora, pasi ishin destinuar për diçka tjetër.
“Bujar Bukoshi hezitonte të ofronte ndihmë financiare për UÇK-në”, tha Williams, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Ai shtoi se Bukoshi kishte thënë se këto para ishin destinuar për fuqizimin e arsimit paralel dhe kujdesit paralel shëndetësor.
“Burimet që kishte mbledhur diaspora ishin të kushtëzuara. Ishin mbledhur që të financonin sistemin paralel në Kosovë dhe të financonin kujdesin shëndetësor paralel. Ai më ka thanë që ka dy probleme: I kemi mbledhë këto para nga diaspora për shëndetësinë dhe për arsimin dhe këtu duam t’i shpenzojmë dhe besoj që i përdornin edhe për disa nga refugjatët. Së dyti: nëse doni para për armë, ka forma të tjera për ta bërë këtë dhe përfundimisht në fakt e gjetën një zgjidhje”, tha Williams.
Ai tha që sipas Bukoshit këto mjete ishin caktuar për çka të përdoreshin dhe ishte e papërshtatshme të përdoreshin për diçka tjetër.
“Ai hezitonte për shkak të natyrës konkurruese politike dhe fondeve të kushtëzuara dhe mos e merrni kaq të mirëfilltë se është term amerikan. Ishin caktuar për diçka tjetër dhe ishte e papërshtatshme që të përdoreshin për diçka tjetër kur nuk ishin caktuar për atë fushë”, tha ai.
Përpara kësaj, Williams deklaroi se i kujtohet se patën dalë deklarata publike nga udhëheqja e UÇK-së që i bënte thirrje Bukoshit që të jepte fonde për UÇK-në që i kishte në dispozicion.
LDK-ja sipas dëshmitarit ishte shumë efektive për mbledhjen e fondeve e që pjesë e kontrollimit të këtyre fondeve ishte edhe Bukoshi.

Dëshmitari Paul Williams para Gjykatës Speciale deklaroi të enjten se Ushtria Çlirimtare të Kosovës (UÇK) ishte një strukturë mbi baza rurale dhe jo duke u bazuar në rregulla.
Fillimisht, dëshmitari pohoi se Hashim Thaçi duhej të merrte miratimin e komandantëve të zonave në Kosovë për të nënshkruar marrëveshjen, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Pas kësaj, dëshmitari u pyet nëse ekzistonte ndonjë rregullore që e thoshte këtë.
“Nuk kam qenë në dijeni të kësaj dhe do të isha habitur shumë nëse do të kishte ekzistuar diçka me shkrim dhe është një strukturë mbi baza rurale dhe nuk iu vjen në mendje mendoj ky nivel ndërveprimi dhe do të kishte qenë shumë më normative, kulturore më shumë autoritet dhe më pak e bazuar në rregulla”, tha dëshmitari.
Williams tregoi edhe për një rast kur ishte fotografuar Thaçi nga një fotograf francez, e që tashmë i akuzuari thuhet që kishte qenë i shqetësuar se mos po vihej në shënjestër nga Serbia.