Deputeti i Nismës, Bilall Sherifi, ka thënë se Kosova duhet urgjentisht të përcjellë mesazhin se përfundimi i dialogut me Serbinë nuk ka lidhje me statusin politik të saj, i cili është përcaktuar në mënyrë përfundimtare.
Sherifi nëpërmes një shkrimi në Facebook, ka theksuar se pavarësia e Kosovës tanimë është vendim definitiv i njohur nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GjND) si vendim legjitim që nuk ka shkelur asnjë normë të së drejtës ndërkombëtare.
Postimi i tij i plotë:
Faza e paranegociatave në funksion të paragjykimit të marrëveshjes finale!
Në vend të mobilizimit të energjive të tërësishme të potencialit intelektual dhe profesional që të dalim sa më të fuqishëm në fazën finale të dialogut me Serbinë, hapësirën tonë politike dhe mediale e kanë vërshuar prognozimet e aktorëve të ndryshëm të shoqërisë sonë si gazetarë, opinionistë dhe politikan të profileve të ndryshme nga pozita dhe opozita rreth formës se si do të mbyllet dialogu në fjalë.
Në përgjithësi hapja e debateve është tejet pozitive për shoqërinë. Edhe në rastin konkret nuk ka asgjë të keqe të debatohet, sepse populli i Kosovës me të drejtë pret që nga përfundimi i këtyre negociatave të heq një ankth të madh. Ajo që mua nuk më duket në rregull është përpjekja për të parashikuar rezultatin përfundimtar të këtyre bisedimeve në atë formë sa që harrohet që jemi në atë që quhet “Fazë të Paranegociatave”.
Në këtë fazë të rëndësishme para negociatave lufta me nervat është shumë e shprehur. Secila palë tenton t’i përcaktojë kufijtë se çka është e pranueshme e çka nuk është e pranueshme për ta, çka është e mundshme të realizohet në këtë fazë e çka nuk është e mundshme e kështu me radhë.
Nëse u hedhim një sy qëndrimeve publike të bartësve të institucioneve të Serbisë do të shohim se duke filluar nga presidenti, anëtarët e qeverisë, deputet të parlamentit të Serbisë, kanë krijuar një konsensus të përgjithshëm që të përsërisin si në “korr” se “As me çmimin e hyrjes në BE nuk do ta njohim pavarësinë e Kosovës”. Fatkeqësisht, ngjashëm me këtë orientim parësor të Serbisë, është përhapur mendimi se “Serbia nuk do ta njeh Kosovën, por vetëm do të detyrohet të mos e pengojë në rrugën e integrimeve evropiane” e për kundër shpërblim ajo do të mund të vazhdojë rrugëtimin e saj drejt integrimeve evropiane.
Strategjia e Serbisë është e qartë: tentim për të plasuar edhe në opinionin publik të Kosovës idenë se ky shtet mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës e ka vijë të kuqe në bisedimet e ardhshme përfundimtare, me arsyetimin se një gjë e tillë do të ishte e papranueshme për popullin serb, për kishën serbe dhe për partitë radikale të Serbisë etj. Duke i dhënë hapësirë kaq të madhe strategjisë serbe në hapësirën tonë publike, ushtrohet presion i madh mbi opinionin publik të Kosovës, në funksion të ngulitjes së bindjes se pritjet tona për rezultatin final të negociatave duhet t’i ndërtojmë mbi “atë që do të jetë e pranueshme për Serbinë” dhe jo mbi atë se çka është e drejtë dhe e domosdoshme për t’i dhënë fund konfliktit mes dy vendeve.
Një gjë e tillë është fatale për procesin, sepse nuk përfill atë çka nuk është e pranueshme për Kosovën dhe popullin e saj. Kjo rrezikon të sjell edhe më pak se atë që është e pranueshme për Serbinë.
Përballë kësaj propagande agresive dhe luftë nervash Kosova ka nevojë urgjentisht të përcjellë mesazhin se përfundimi i dialogut nuk ka lidhje me statusin politik të saj, i cili është përcaktuar në mënyrë përfundimtare dhe se Pavarësia e Kosovës tanimë është vendim definitiv i njohur nga GjND-ja si vendim legjitim që nuk ka shkelur asnjë normë të së drejtës ndërkombëtare.
Çdo marrëveshje që nuk do të bazohej në opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, që do të thotë, çdo gjë më pak se njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Serbia, nuk do të vendoste drejtësi, prandaj si e tillë do të ishte e pa qëndrueshme dhe do të do të mbante në fuqi konfliktin e ngritë që nga koha e përfundimit të luftës!”