Ndryshimi i Kushtetutës dhe emrit i cili nuk do të rrezatojë irredentizëm do të sigurojë tre garanci: “jo” për ndryshimin e kufijve , “jo” për bashkësitë etnike jashtë kufijve dhe “jo” për gjuhë që insiston në të drejta jashtë kufijve.
Këto sipas Presidentit grek Prokopis Pavlopullos, janë parakushtet për zgjidhjen e kontestit me ermin dhe arritjes së marrëveshjes mes Athinës dhe Shkupit.
“Të drejtë ta ndryshojnë Kushtetutën e tyre e pastaj, kur të arrijmë çfarëdo marrëveshje, në këtë marrëveshje do të ketë emër i cili nuk do të rrezatojë irredentizëm. Dhe kur themi irredentizëm mendojmë në tre gjëra: nuk mundet në asnjë rast ky emër të nënkuptojë ndryshim të kufijve. E dyta, nuk mundet ky emër të orientojë në përkatësinë etnike jashtë kufijve të IRJM. Dhe e treta, nuk mundet ky emër të dërgojë në gjuhë jashtë kufijve, që do të shkaktonte të drejta pakice dhe në këtë rajon. Këto tre gjëra janë fakt”, deklaroi Pavlopullos, dje nga komuna greke Pindas-Kolindur, ku u shpall qytetar nderi.
Pavlopullos theksoi se duhet ndryshim i Kushtetutës si parakusht themelor për zgjidhje, por edhe “për mbrojtjen e vetë kryeministrit të IRJM”.
“Nuk mundet që në momentin kur vijnë të dakordohen për kompromis drejt të cilit edhe ata synojnë, të të thonë: këtë kompromis do ta bëjmë, por nuk mundemi tani ta ndryshojmë Kushtetutën, do ta ndryshojmë në të ardhmen. A është ky vend demokratik? Kryeministri i këtij vendi nuk kupton çfarë rreziku shkakton vetë kur deklaron se është i gatshëm të nënshkruajë marrëveshje që është në kundërshtim me Kushtetutën? Mund ta imagjinoni ndonjë lider nga Perëndimi, nga BE-ja, të thotë diçka të tillë?” shton Pavlopullos, publikoi MIA.
Sipas Presidentit grek, qëndrimi i Greqisë është i qartë dhe është në pajtim me të drejtën ndërkombëtare dhe evropiane dhe nuk është “Greqia përgjegjëse nëse vetë, me qëndrimin e tyre, e minojnë perspektivën e tyre për në NATO dhe BE”.