PD: Do zhgënjeheni nëse prisni dorëheqjen e Ramës, ai duhet të mbrojë pushtetin e vjedhur

Prishtinë | 06 Qer 2019 | 14:38 | Nga Ekonomia Online

Partia Demokratike ka reaguar sërish këtë të enjte në lidhje me përgjimet e publikuara një ditë më parë nga gazeta gjermane Bild ku përfshiheshin zyrtarë të lartë të PS-së dhe shtetit e trafikantin Astrit Avdylaj, pjesë e bandës së Shijakut.

Në emër të PD-së ka folur Enkelejd Alibeaj i cili është shprehur se edhe pas këtij skandali, kreu i qeverisë Edi Rama as që e ka ndërmend të japë dorëheqjen. Sipas selisë blu, Rama s’mundet, pasi i duhet të dalë në mbrojtje të kryebashkiakut Vangjush Dako e rrjedhimisht dhe vetes së tij, për të fshehur me sa mundet, atë që përgjimet e tregojnë fare qartë, që Rama ka fituar pushtet përmes vjedhjes e blerjes së votës.

DEKLARATA

Pas skandalit të publikuar nga gazeta gjermane Bild, ku del në dritë mekanizmi i blerjes së votave nëpërmjet krimit dhe se drejtuesi real i fushatës për Partinë Socialiste është një trafikant ndërkombëtar droge, me të drejtë, të gjithë presin dorëheqjen e Edi Ramës.

Por, kur bëhet fjalë për pushtetin dhe mbajtjen e tij në çdo formë e me çdo mjet, Edi Rama, është krejt i parashikueshëm dhe nuk zhgënjen asnjëherë.

Kryeministri ilegjitim, i ardhur në pushtet me votat e blera nga krimi, siç konfirmuan edhe përgjimet e fundit të gazetës Bild, jo vetëm nuk po e konsideron dorëheqjen, por është vënë në mbrojtje të Vangjush Dakos, duke arritur deri tek kërcënimi publik i kujtdo që nxjerr sekretin e bashkëpunimit me krimin për blerjen e votave.

Me apo pa dorëheqje, Edi Ramën nuk e beson më askush. Edhe ata që besonin sadopak tek kryeministri mafioz, sot janë të qartë së gjithçka ka ndodhur me bekimin e tij.

Nëse do të ishte e kundërta, Edi Rama do të kishte dhënë dorëheqjen me dhjetëra herë. Do të kishte dhënë dorëheqjen, kur u faktuan akuzat e opozitës se:

• Shqipëria u bë hambari i drogës në Europë.
• Edi Rama kishte future kriminelë në Parlament
• Kryetari i Bashkisë së Kavajës, Elvis Roshi ishte përdhunues dhe trafikant.
• Saimir Tahiri mbështeste trafikun e drogës.
• Vëllai trafikant i Ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj vazhdonte trafikun e drogës në Vlorë
• Koncesionet gati 2 miliardë dollarë ishin të miqve dhe financuesve të Edi Ramës
• Projekti i Unazës së Re ishte një skemë gjigande vjedhjeje përmes një kompanie fantazëm dhe shumë e shumë skandale e afera të tjera korruptive, që kanë zhvatur dhe varfëruar shqiptarët.

Edi Rama nuk mendoi asnjëherë ta japë dorëheqjen për këto skandale, që po pengojnë prej 6 vjetësh nisjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë me Bashkimin Europian.

Duke kërcënuar e sulmuar këdo që ka nxjerrë prova për ta, duke manipuluar të vërtetën, duke fabrikuar dëshmitarë e prishur prova, Edi Rama i ka mbrojtur ata të gjithë nga drejtësia, për të mbrojtur pushtetin e tij të kriminalizuar.

Pas përgjimeve të Bild, që faktojnë blerjen e pushtetit përmes krimit, është e qartë pse Edi Ramës i duhej prokuroria nën kontrollin e plotë të tij. Një prokurori e pavaruar, do të kishte zbatuar ligjin, do t’i kishte vënë para drejtësisë pushtetarët e lidhur me krimin dhe të përfshirë në afera të rënda korruptive.

Edi Rama i mbron kriminelët e tij brenda dhe jashtë politikës, sepse ai e ka të qartë se as nuk e merr dhe as nuk e mban dot pushtetin pa krimin.

Prandaj, largimi i Edi Ramës është zgjidhja për të shkeputur lidhjet e politikës me krimin dhe për të çliruar zgjedhjet nga pengmarrja e krimit.

Me Edi Ramën, synimi i vetëm i të cilit është të mbrojë pasurinë dhe pushtetin e tij të kalbëzuar nga krimi dhe korruposioni, shqiptarët kanë vetëm një zgjidhje: Të bashkohen me protestën kombëtare më 8 Qershor. Pjesëmarrja dhe vendosmëria e shumicës së shqiptarëve për të mos pranuar paktin e tij me krimin, është përgjigja më e mirë për kryeministrin ilegjitim të votave të blera me krimin.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme