Në mungesë të seancës plenare, opozita anuloi protestën e paralajmëruar për të enjten para Parlamentit.
24 orë para tubimit, Partia Demokratike njoftoi strukturat se protesta nuk do të mbahej, ndërsa e radhës do të zhvillohet në varësi të seancës planare. Protestat e opozitës zhvendosën dy herë mbledhjen e Parlamentit.
Një javë më parë, kryetari i Kuvendit u detyrua të anulojë sencën plenare, i shqetësuar për situatën e krijuar, në një kohë që opozita kishte lajmëruar rrethimin e Parlamentit dhe djegien e mandateve në bllok.
Opozitarët nuk bënë asnjë hap pas, u mblodhën para Parlamentit edhe pse nuk kishte deputetë, ndërsa protesta rezultoi e qetë, pas një presioni shumë të fortë ndërkombëtar për shmangien e dhunës.
Seanca e shtyrë e 21 shkurtit u zëvëndësua në mënyrë të papritur këtë të martë, por opozitarët u mobilizuan shpejt. Një protestë jashtë radhe u thirr ku nuk munguan tensioni dhe përplasjet. Nga protestuesit pati tentativë për t’u futur në oborrin e sallës plenare, ku deputetët e mazhorancës ishin mbledhur në seancë, ndërsa policia u kundërpërgjigj me gaz lotsjellës.
Opozita është në pritje të seancës së radhës për të rrethuar sërish godinën e Paralementit, ndërsa për protestën kombëtare të 16 marsit para Kryeministrisë plani nuk ndryshon. /Top Channel