Partia Demokratike e Kosovës dënon ashpër fushatën e turpshme, linçuese e shpifëse kundër kryetarit të Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci dhe kundër Partisë Demokratike të Kosovës, nga ana e Driton Ajazit, kandidat për kryetar në Drenas, nga një iniciativë qytetare.
I mësuar me logjikën e mashtrimeve e manipulimeve, Ajazi paturpësisht ka shpifur për procesin e Gjykatës Speciale, me të cilin po përballen liderët historikë të Kosovës dhe PDK-së, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli.
Deklaratat e Ajazit se ka informata se kryetari Ramiz Lladrovci na qenka dëshmitar kundër tyre janë edhe një sulm ndaj luftës së drejtë e të shenjtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, prijësve të saj dhe secilit luftëtar të lirisë. Kjo është një shpifje që mund ta sajojnë vetëm mendjet mercenare si ato të Driton Ajazit dhe të sponsorëve të tij.
Ju bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve të Drenasit, që me kulturë të lartë qytetare e me besim të madh, siç kanë bërë deri tash, ta ndëshkojnë me votë mentalitetin e manipulimit e shpifjes të Ajazëve dhe të mbështesin sërish qeverisjen e pastër dhe transparente të Partisë Demokratike të Kosovës dhe kryetarit Lladrovci.
Iniciativa e Ajazëve dhe oportunistëve të ngjashëm në Drenas është produkt i kundërshtarëve të Partisë Demokratike të Kosovës dhe qëllimi i tyre i vetëm është dëmtimi politik e elektoral i PDK-së. Për këtë, secili prej tyre do të mbajë përgjegjësinë e vet politike dhe morale.
PDK ka vetëm një adresë për zgjedhjet në Drenas – Ramiz Lladrovcin kryetar dhe numrin e fitores, 177.