Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka përmbyllur sonte fushatën për zgjedhjet e jashtëzakonshme të së dielës, në Sallën e Kulturës në Drenas, me një tubim të madh.
Lideri i PDK-së, Kadri Veseli, ka deklaruar se më 4 dhjetor është dëshmuar fuqia e pakonkurrencë e PDK-së në Drenas, ndërsa të dielën, më 18 dhjetor, kur mbahet raundi i dytë i votimeve, do të festohet fitorja e madhe e PDK-së dhe kandidatit të saj për kryetar të Drenasit, Ramiz Lladrovcit.
“PDK nuk ka pasur asnjë mëdyshje dhe nuk e ka asnjë mëdyshje se Drenasi do të jetë sërish unik dhe në mbështetje të PDK-së”, ka deklaruar Veseli.
“Të dielën, do të dalin të gjithë qytetarët e Drenasit, të bashkuar. Dhe, së bashku, do ta festojmë fitoren e madhe për Drenasin”, ka shtuar ai.
Kandidati i PDK-së për kryetar të Drenasit, Ramiz Lladrovci, ndërkaq, në fjalën e tij, ka falënderuar qytetarët për mbështetjen dhe qytetarinë e treguar në këtë proces zgjedhor, ndërsa i ka ftuar ata që me qetësi dhe masivisht të dalin për të votuar më 18 dhjetor, kur mbahet raundi i balotazhit.
Ai ka rikujtuar se i këto ditë, lagje më lagje, fshat më fshat, së bashku me kryetarin e PDK-së, Kadri Veselin, kanë shpalosur prioritetet e qeverisjes për arsimin, shëndetësinë, infrastrukturën, bujqësinë, shërbimet publike, rregullimin e ambientit, për një Drenas me jetë më të mirë, me kushte më të mira, me perspektivë dhe një të ardhme të sigurt për të gjithë qytetarët e Drenasit, për fëmijët dhe prindërit.
“Duke votuar numrin 13, ju votoni për idealet e dëshmorëve, veteranëve dhe invalidëve – votoni për Drenasin e zhvilluar në ekonomi, arsim dhe shëndetësi, për Drenasin me të drejta dhe shanse të barabarta për të gjithë, burra e gra, për Drenasin me ambient të pastër”.
“Duke qëndruar gjithmonë së bashku, ne do ta bëjmë Drenasin qytet shembullor”, ka deklaruar Lladrovci.
Kandidati i PDK-së për Kryetar të Drenasit, më tutje, ka porositur qytetarët që të dielën, me qetësi të shkojnë në qendrat e votimit dhe me zemër ta votojnë numrin 13 dhe partinë e tyre, Partinë Demokratike të Kosovës.
“Gjithmonë së bashku! Gjithmonë me PDK-në! Gjithmonë për Drenasin, Drenicën dhe Kosovën! Urime dhe gëzuar fitorja e madhe”, është shprehur Lladrovci.