Partia Demokratike e Kosovës po vazhdon betejën me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, lidhur me vendosjen në karantinë të dy komunave në veri, Mitrovicës së Veriut dhe Zveçanit.
Anëtari i Kryesisë së PDK-së, Betim Gjoshi ka sfiduar publikisht kryeministrin në detyrë për të publikuar vendimin e MSh-së, pasi ka qenë pikërisht Kurti që një ditë më herët tha se “Është sërish Ministria e Shëndetësisë ajo që e ka shpallur karantinën edhe në dy komunt tjera: në komunën veriore të Mitrovicës dhe në komunën e Zveçanit, mirëpo nuk kemi dashur ta bëjmë këtë gjë me tupan”.
Gjoshi i PDK-së e ka sfiduar Kurtin duke e ftuar që ta publikojë këtë vendim nëse ekziston, për ta dëshmuar se këto komuna janë vendosur në karantinë nga Qeveria e Kosovës dhe jo nga Qeveria e Serbisë.
Ky është shkrimi i plotë i Gjoshit:
SFIDË PUBLIKE PËR KRYEMINISTRIN E SHKARKUAR ALBIN K.
<NËSE EKZITON, PUBLIKOJE VENDIMIN E MSH-së PËR KARANTINIMIN E DY KOMUNAVE NË VERI TË KOSOVËS>
Në videomesazhin e publikuar ditën e shkuar, kryeministri i shkarkuar Albin K. tha se Ministria e Shëndetësisë është ajo që ka shpallur karantinën në dy komunat e veriut të Kosovës.
Deklarata e tij e plotë është kjo – “Është sërish Ministria e Shëndetësisë ajo që e ka shpallur karantinën edhe në dy komunt tjera: në komunën veriore të Mitrovicës dhe në komunën e Zveçanit, mirëpo nuk kemi dashur ta bëjmë këtë gjë me tupan”.
Kjo është deklaratë publike me zë dhe figurë nga kryeministri, prandaj E SFIDOJ PUBLIKISHT KRYEMINISTRIN:
– TË PUBLIKOJË VENDIMIN E MINISTRISË SË SHËNDETËSISË PËR VENDOSJEN NË KARANTINË TË DY KOMUNAVE: MITROVICË E VERIUT DHE ZVEÇAN.
Që ta kemi të qartë –
1 – Vendimi, nëse ekziton një i tillë, duhet ta mbajë datën 2 prill, pra një ditë para vendimit të Qeverisë së Serbisë, e cila në datën 3 prill ka vendosur të karantinojë këto dy komuna.
2 – Nëse ju keni marrë një vendim të tillë, pas datës 3 prill, atëherë kjo është ndjekje e vendimeve të Qeverisë së Serbisë.
3 – Besoj fuqishëm se as Ministra e Shëndetësisë dhe as Kryeministri nuk kanë marrë vendim për të karantinuar këto dy komuna.
Jemi në pritje të përgjigjes tuaj publike!