Partia Demokratike e Kosovës ka kërkuar seancë të jashtëzakonshme për bisedën ndërmjet Mimoza Kusari-Lilës, shefe e grupit parlamentar të VV-së, dhe Milan Radoiçiqit, i akuzuar për sulmin në Banjskë, mëson Ekonomia Online.
Kërkesa në drejtim të kryeparlamentarit Glauk Konjufca është dorëzuar nga shefi i deputetëve të PDK-së, Abelard Tahiri. Sipas PDK-së, “koordinimi” ndërmjet tyre është tradhti kombëtare, andaj edhe kërkojnë llogaridhënie nga vetë Kusari-Lila por edhe nga partia në pushtet.
“Fakti se kryetarja e GP- LW Mimoza Kusari Lila i detyrohet komunikimit dhe kërkesave të Milan Radoicic, përbën në të njëjtën kohë edhe cenim të procesit hetimor që në kohën përkatëse ishte duke u zhvilluar ndaj tij, mbi bazën e të cilave hetime, i njëjti edhe kërkohej nga institucionet e sigurisë ndërkombëtare. Për më tepër, nga ky komunikim, përveç tjerash kuptohet se kryetarja e GP- LVV-së Mimoza Kusari-Lila ishte koordinuar për agjendën e Kuvendit dhe formën e votimit nga ana e Listës serbe, të çështjeve ne kuadër te kësaj agjende. Këto veprime konsiderojmë se përbejnë rrethana të mjaftueshme të cilat ngrënë shqetësime serioze të cilat e minojnë edhe besimin e publikut në punën dhe integritetit e Kuvendit te Republikës se Kosovës. Prandaj, sqarimi dhe llogaridhënia nga ana e saj, dhe e grupit parlamentar te LVV-së është së paku detyrë themelore përballë qytetareve dhe betimit ndaj Kushtetutës”, thuhet ndër të tjerash në kërkesën e PDK-së për seancë të jashtëzakonshme.
Gjithashtu, PDK-ja ka kërkuar hetim edhe nga Prokuroria e Shtetit, që të nisë “hetime në përputhje me legjislacionin në fuqi”.
“Kërkon nga Prokurori i Shtetit si institucion kushtetues i pavarur me autoritet dhe përgjegjësi për ndjekjen penale, qe te iniciojë hetime penale në përputhje me legjislacionin në fuqi ndaj kryetares se Grupit Parlamentarë të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila lidhur me komunikimet e saj me Millan Radoicic; si dhe kërkon shkarkimin e Mimoza Kusari-Lila nga funksioni i kryetares së grupit parlamentar”, thuhet më tej.