PDK – Hotit: S’pranojmë ftesa nga studiot për pjesëmarrje në “Forumin e liderëve”

Prishtinë | 11 Qer 2020 | 17:02 | Nga Ekonomia Online

Me anë të “Forumit të Liderëve”, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti po synon bashkimin e pozitës dhe opozitës, para nisjes së fazës së fundit të dialogut në mes të Prishtinës dhe Beogradit. Në këtë nismë nuk po pranojnë që të bashkohet partia e Albin Kurtit, derisa, nga PDK’ja thonë se nuk kanë marrë ende ftesë. Partitë e koalicionit qeverisës e bëjnë të qartë se nuk diskutojnë për territoret. Në anën tjetër, në kryeministri kanë shtuar se në çështje të interesit nacional, shteti duhet të funksionojë si ekip

Në ditët e para të punës si shef i ekzekutivit, Avdullah Hoti filloi punën për mënjanimin e pengesave që e lanë Kosovën dhe Serbinë për dy vite larg tryezës së dialogut.

PDK – Hotit: S’pranojmë ftesa nga studiot për pjesëmarrje në “Forumin e liderëve”

Heqja e masës së reciprocitetit, që u kërkua nga ndërmjetësuesit, i ka afruar Prishtinën dhe Beogradin, drejt fazës së fundit të dakordimit për marrëveshjen e paqes.

Shefi i qeverisë së re të Kosovës, në këtë proces që insiston se do ta udhëheq, e ka kërkuar bashkëpunimin edhe me partitë në Kuvend, pozitë e opozitë. Ai ka propozuar një “Forum të Liderëve”, për bisedimet me palën nga Beogradi, derisa, ka bërë ftesë publike për të gjitha partitë që t’i bashkohen nismës së tij.

Megjithatë, këtë nismë të Hotit nuk do ta përkrahin në Lëvizjen Vetëvendosje. Nga partia që udhëhiqet nga Albin Kurti kanë bërë të ditur se kryeministri i ka shkruar letër shefit të LVV’së, duke e ftuar në takim, por, që thonë se nuk janë përgjigjur.

Për dallim nga tash partia më e madhe opozitare në Kuvend, ndryshe deklarohen në subjektin që udhëhiqet nga Kadri Veseli.

Në Partinë Demokratike të Kosovës, kanë deklaruar se deri më tani nuk kanë marrë ftesë nga kryeministri Hoti. Të njëjtët thonë se deklarimet nga studiot televizive nuk janë serioze.

Zëdhënësi i PDK’së, Avni Bytyqi thotë se për Qeverinë në krye me Avdullah Hotin është më i rëndësishëm uniteti i akademikëve dhe mbështetja e tyre, se sa e partive politike.

“Nuk mund të komentojmë asgjë ndaj një ftese që nuk ekziston si realitet deri në këto momente. Ftesat nga studiot dhe deklarimet publike të zyrtarëve të ndryshëm nuk janë serioze dhe fatkeqësisht flasin për qasjen e mbrapshtë që po ndjek kjo qeveri për dialogun dhe seriozitetin që po tregon ndaj këtij procesi shumë të rëndësishëm. Për kryeministrin e qeverisë së status-quos duke se më i rëndësishëm është uniteti i akademikëve dhe mbështetja e tyre se sa e partive politike”, ka thënë Bytyqi për gazetën.

LVV shprehet kategorikisht kundër dhe PDK thotë se s’kanë ftesë, kryeministri i ka filluar takimet me disa prej partive të koalicionit.

Nga zyra e kryeministrit kanë thënë sot gjatë ditës për Gazetën Express se të gjitha partitë kanë qenë të ftuara, e tashmë janë mbajtur disa takime.

“Të gjitha partitë kanë qenë të ftuara, me shumicën e partive janë mbajtur takime, me partitë që janë në koalicion, ende nuk është realizuar takim me opozitën. Ftesa iu është bërë të gjithëve”, thonë nga Qeveria.

Të pyetur për deklarimin e Kurtit se nuk do të bisedojë me Hotin për dialogun, në Qeveri thonë se është çështje e interesit nacional që Kosova në këtë fazë të funksionojë si ekip.

“Është qëndrim i kryeministrit që për çështje të tilla të interesit nacional të bisedohet me të gjithë edhe që Kosova të funksionojë si një ekip. Kjo ftesë e kryeministrit për subjektet ka qenë një nismë e vullnetit të mirë për t’ua prezantuar kornizën e qeverisë për dialogun. Kjo kornizë është prezantuar dje në akademi, ajo është substanca”, kanë thënë të njëjtit.

Propozimin e Hotit e ka përkrahur edhe kryetarja e Komisionit për Punë të Jashtme, Time Kadrijaj, që thotë se Kosovës i duhet unitet për vendime me interes nacional.

Deputetja e AAK’së, ka thënë se opozita dhe pozita duhet të bëhen bashkë në këtë proces, mirëpo, në rast se fillimisht iu garantohet se nuk do të ketë ndarje e as lëvizje të kufijve.

“Për vendime kyçe dhe në interes nacional normal që na duhet unitet. Nëse kemi angazhimin amerikan e normal edhe të Bashkësisë Ndërkombëtare, me garanci që në marrëveshjen përfundimtare nuk do të ketë ndarje e as lëvizje kufijsh, duhet të jemi bashkë për ta përmbyllur këtë proces. Ndasitë politike duhet të lihen mënjanë për interes të përgjithshëm”, ka thënë Kadrijaj, derisa, ka apeluar që në proces të bisedimeve opozita dhe pozita të jenë të bashkuar.

Për dallim nga Hoti që po synon “Forumin e Liderëve”, ish-kryeministri Albin Kurti e kishte propozuar në një letër dërguar emisarit të BE’së në dialog, Mirosllav Lajçak edhe përbërjen e ekipit negociator.

Kurti kishte thënë se është i obliguar që të themelojë dhe udhëheq ekipin negociator, e kishte propozuar që ky ekip të jetë gjithëpërfshirës dhe i balancuar në baza gjinore.

Sipas ish-kryeministrit, ai do të ishte udhëheqësi i dialogut, presidenti Hashim Thaçi do të ishte anëtar, kryeparlamentarja Vjosa Osmani, anëtare, si dhe do të kishte përfaqësues të secilës parti politike në vend

Të ngjashme