PDK-ja i kundërpërgjigjet Vetëvendosjes me videon “Çka ka Albini – kallxon Martini!”

Prishtinë | 24 Jan 2023 | 14:22 | Nga Ekonomia Online

PDK-ja i kundërpërgjigjet Vetëvendosjes me videon “Çka ka Albini – kallxon Martini!”

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) i është kundërpërgjigjur Vetëvendosjes në pushtet me një video që shpërfaq aferën e ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, dhe mbrojtjen e tij të dyshimtë nga kryeministri Albin Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani.

“Historia e aferës milionëshe e ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, akuzat e ngritura ndaj tij, mbrojtja e pakuptueshme dhe e dyshimtë nga krerët institucional, lidhja me Kryeministrin Kurti dhe financimin e fushatës së Lëvizjes Vetëvendosje!”, shkruan në përshkrimin e videos së publikuar në faqen zyrtare të PDK-së në Facebook.

Më herët gjatë ditës, Vetëvendosje publikoi videon (e dytë) me titullin “Çka ka, çka s’ka”, ku sulmonte qeveritë e kaluara për keqpërdorime në infrastrukturën rrugore.

Ndërsa në një video të publikuar më 10 janar, Vetëvendosje godiste opozitën (kryetarët e rinj të PDK-së e LDK-së) dhe sindikatat, duke e lidhur kryesindikalistin e Arsimit, Rrahman Jasharaj me “regjimin e vjetër të PAN-it”.

Analistët e kanë quajtur të çuditshme që një parti në pushtet, madje me shumicë dërmuese, të sulmojë opozitën, duke vlerësuar se kjo bëhet për të shpërqendruar vëmendjen nga mungesa e përparimit në çdo fushë në dy vjet qeverisje.

Të ngjashme