PDK-ja iniciatore e taksës, Zeka paralajmëron edhe masa të tjera ndaj Serbisë

Prishtinë | 12 Jan 2019 | 08:24 | Nga Besjana Bajrami Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Krahas taksës 100% për produktet nga Serbia, Izmi Zeka paralajmëron se mund të vendoset masë reciproke edhe për automjetet. “Ne veç e kemi përgatitur gjithë dokumentacionin që edhe veturat prej Serbisë të mos mund të qarkullojnë”, thotë zv.ministri i Brendshëm, në një intervistë për Ekonomia Online.

Taksa 100% e vendosur për produktet serbe dhe ato të Bosnjës ka ngjallur debat brenda dhe jashtë vendit. U tha se ideja për vendosjen e taksës ka qenë e zv. kryeministrit Enver Hoxhaj e përkrahur nga kryetari i PDK-së, Kadri Veseli dhe si e tillë i është prezantuar qeverisë.

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Izmi Zeka, i cili është anëtar i Këshillit Drejtues të PDK-së, ka thënë për Ekonomia Online se ideja për vendosjen e taksës ka qenë ide e PDK-së dhe si e tillë do të përkrahet derisa Serbia të tregojë gatishmëri për bashkëpunim me Kosovën.

 “Qëndrimi i PDK-së është i prerë në këtë drejtim, sepse edhe vetë kemi qenë iniciues të taksës 100%, duke u nisur nga kryetari Veseli. Ka qenë 30% kurse ne kemi kërkuar 100% dhe kështu është arritur. Kemi qëndrim konsekuent në këtë çështje”.

“Por megjithatë duhet të kuptohet që ne jemi shtet dhe asgjë nuk është Bibël as Kuran. Nëse Kosovës i plotësohen kushtet, kriteret dhe nevojat në raport me Serbinë, do të vijë një moment sigurisht që duhet të rishikohet. Por për momentin, Serbia nuk po tregon gatishmëri, kështu që taksa do të mbetet”.

“Si proces ideja ka qenë e Enver Hoxhës dhe më pas është diskutuar me kryetarin Veseli. Normalisht si procedurë i takon Ministrisë së Tregtisë ta procedojë në Qeveri, më pas Qeveria duhet ta miratojë dhe në momenti që e aprovohet e nënshkruan kryeministri. Por kjo nuk paraqet diçka që ne duhet të bëjmë debat, por e rëndësime është që taksa ka pasur efektin e vet”.

Ai ka thënë se ideja që të vrapojnë pas bajrakut se kush e ka bërë taksën është absurde.

“Të gjithë që nga viti 2000 është dashur që të bojkotojmë produktet, pa marrë vendim shteti hiq. Duhet të ishim në atë nivel që mos të kishim lejuar që mallrat e Serbisë të  mos jenë në Kosovës. Pse kemi lejuar që të merret vendim, kur ka qenë e thjeshtë të bojkotohen produktet, tash hajde të marrim masa të tjera. Masa deri në plotësimin e detyrimeve të Serbisë ndaj Kosovës qoftë njohja qoftë marrëveshjet që janë arritur deri tani”.

“Nuk jam prej ithtarëve që të luftojmë pas bajrakut të del cili e ka pasë idenë, cili e ka vazhduar idenë, cili e ka nënshkruar, këto janë absurde, të mendimit ballkanik. Janë më rëndësi vendimet. Ky është mentalitet që na ka lënë mbrapa”.

Ai tutje ka shtuar se përveç taksës Kosova do të ndërmarrë edhe sanksione tjera duke vendosur kështu masa edhe për automjetet.

“Bile-bile unë jam kategorik që në këtë fazë përveç taksës t’i vendoset masë edhe për automjetet. Ne veç e kemi përgatitur gjithë dokumentacionin që edhe veturat prej Serbisë të mos mund të qarkullojnë. D.m.th të jetë një aspekt reciprok që qysh të vepron shtetit serb ndaj shtetasve të Kosovës të veprojmë edhe ne ndaj tyre”.

“Jo veç në këtë aspekt, por në të gjitha segmentet e jetës jam për të shikuar dhe për t’i treguar Serbisë se Kosova është shtet që vendos vet për hapat e vet. Por unë nuk jam prej atyre që them kurrë kurrë nuk bëhet kjo sepse në politikë gjërat lëvizin, sepse përveç lëvizjes interesat tona kanë një vijë me shtetin amerikan dhe natyrisht unë jam ithtar i ndjeshmërisë amerikane, dhe bashkë me ta të vendosim për hapat e mëtutjeshëm”.

Është keqkuptuar ideja për legalizimin e armëve, shteti nuk ka për qëllim t’ua marrë armët qytetarëve”

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, i cili është edhe Koordinator Nacional për Armë të Vogla dhe të Lehta, Izmi Zeka, ka folur dhe për procesin e legalizimit të armëve nga qytetarët. Aplikimi ka nisur më 17 dhjetor 2018 dhe do të jetë në fuqi për gjashtë muaj.

Zeka ka thënë se me këtë synojnë të ulet numri i armëve ilegale në duart e qytetarëve dhe të minimizohet rreziku për vepra kriminale.

“Ne e vlerësojmë që është e kundërta e rrezikut, pasiqë në bazë të analizave dhe statistikave të disa mekanizmave ndërkombëtarë llogaritet që në Kosovë janë mbi 200 mijë armë. Prandaj është një rast i mirë që të gjithë qytetarët të cilët i kanë në mënyrë ilegale armët t’i legalizojnë. Kjo është mundësi e mirë, është interes i dyanshëm, është interes i qytetarëve që të mos mbajnë më armë të fshehura dhe normalisht edhe i shtetit që armët të jenë në sistem. Kjo bëhet për herë të parë në Kosovë”.

Ai ka thënë se është keqkuptuar ideja për legalizimin e armëve dhe se shteti nuk ka për qëllim t’ua marrë armët qytetarëve.

“Nganjëherë është keqkuptuar në opinion ose prej njerëzve të ndryshëm prej aktereve  të ndryshëm që nuk kanë qasje në këtë lëmi dhe flasin dhe thonë që shteti po do me ua marrë armët. Njerëzit duhet të kuptojnë që ato armë janë ilegale, të fshehta, dhe ne kemi shtetin dhe nuk kemi nevojë që askush, asnjë qytetar nuk ka nevojë që armët t’i mbajë të mbyllura kurse e kemi një mundësi të artë, e kemi 6 muaj legalizimin e armëve”

“Tash është krijuar një mundësi e mirë që ndikon në sigurinë e qytetarëve të Kosovës. Në bazë të krejt analizave armët që po përdoren në raste të ndryshme, qoftë të krimit qoftë tjera bëhen prej armëve ilegale, me armët që i kemi dhënë deri tash me leje që është e drejtë ligjore. Nuk kemi raste ose janë raste minimale që ndodh ndonjë aksident fatal ose ndonjë rast kriminal me atë”.

Të ngjashme