Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka njoftuar se të premten do të dorëzojë kallëzim penal në Prokurorinë Speciale ndaj anëtarëve të Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji.
Kallëzimi penal do të bëhet për moszbatim të aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, për pezullim të zbatimit të vendimit të ZRRE-së për shtrenjtimin e energjisë për qytetarët e Kosovës.
“Përfaqësues të Partisë Demokratike të Kosovës, do të dorëzojnë nesër (e premte), në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, kallëzim penal ndaj anëtarëve të Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji, për mos zbatim të aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, për shtyrjen, përkatësisht pezullimin e zbatimit të vendimit nr. 077/22 të ZRRE-së për shtrenjtimin energjisë për qytetarët e Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e PDK-së.
Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur më 8 prill që të pezullojë përkohësisht ekzekutimin e vendimit të ZRRE-së për shtrenjtim të energjisë elektrike, pas padisë së Partisë Demokratike të Kosovës.
Partia Demokratike e Kosovës pretendon se ZRRE-ja, duke mos përfshirë në strukturën e re tarifore të pagesës së energjisë elektrike, katër komunat veriore, përveç diskriminimit mbi bazën e vendbanimit, ka kontribuar në mënyrë të drejtpërdrejtë edhe në cenimin e parimit të sundimit të ligjit dhe shtrirjes së sovranitetit shtetëror në pjesën veriore të shtetit.
Mirëpo, ZRRE-ja ka thënë se do të parashtrojë ankesë pranë Gjykatës së Apelit, pas vendimit të Gjykatës Themelore të Prishtinës për pezullimin e përkohshëm të tarifave të reja të energjisë elektrike, që ishin vendosur në shkurt.
Në një përgjigje për KOHËN më 12 prill, ZRRE-ja ka thënë se nuk e ka pranuar ende aktvendimin e Themelores, duke shtuar se derisa ankesa të mos shqyrtohet nga Gjykata e Apelit, ajo nuk bëhet e formës së prerë dhe se faturat do të kalkulohen me tarifa të reja.