PDK mposhtë LDK-në për transparencë buxhetore në nivel komunal

Prishtinë | 15 Gus 2023 | 19:46 | Nga Ekonomia Online

Partia Demokratike e Kosovës dhe ajo e Lidhjes Demokratike të Kosovës ndajnë numrin e komunave me të cilat udhëheqin, por jo edhe nivelin e transparencës me të cilin qeverisin.

Gjashtë nga tetë komunat të cilat udhëhiqen nga PDK, janë renditur në krye të tabelës për transparencë buxhetore për vitin 2022, në raportin e publikuar sot nga Instituti GAP.

Ndërkaq, shumica e komunave të cilat udhëhiqen nga LDK, katër nga tetë, janë renditur në pjesën e poshtme të tabelës, me nivel të mesëm të ulët të transparencës.

Raporti i Institutit GAP i cili vlerëson transparencën buxhetore të komunave në Kosovë dhe i rendit ato në bazë të performancës, ka renditur të parën komunën e Drenasit, me 100 % të pikëve të grumbulluara, aq sa kanë edhe Mitrovica, Prizreni e Skenderaj të udhëhequra nga PDK.

Me nivel të lartë të transaprencës janë renditur edhe Hani i Elezit e Vushtrria. Ndërkaq, me nivel të mesëm të lartë është renditur Ferizaj. E vetmja komunë nga radhët e PDK-së e cila ka marrë notim të mesëm të ulët është ajo e Kaçanikut.

Ndërkaq, nga radhët e LDK-së, e vetmja komunë e cila radhitet në pjesën e lartë për transaprencë është ajo e Lipjanit. Tri të tjera, Peja, Prishtina dhe Istogu kanë marrë vlerësim të mesëm të lartë. Ndërkaq, në fund të tabelës, me notim të mesëm të ulët, kanë përfunduar Dragashi, Obiliqi, Vitia dhe Fushë Kosova.

Të ngjashme