Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku ka paralajmëruar se partia më e madhe opozitare shumë shpejt do ta formojë kabinetin e “Qeverisë në hije”, ngjashëm me praktikën e para 16 vjetëve kur e kishin formuar qeverinë në hije që udhëhiqej nga atëherë kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi.
Çitaku ka deklaruar se me kabinetin e qeverisë në hije, PDK do të ofrojë alternativa për problemet.
“Përmes këtij Kabineti PDK nuk do të jetë vetëm kritikuese për Qeverinë aktuale, por do të ofrojë edhe alternativa si zgjidhje të qëndrueshme për probleme të ndryshme”, u shpreh Çitaku, gjatë një debati me studentët e UBT-së.
Ish-ambasadorja Çitaku deklaroi se PDK i jep mbështetje qeverisë në përmbylljen e dialogut me Serbinë dhe kërkoi po ashtu që pozita dhe opozita të jenë bashkë kur është në pyetje politika e jashtme e Kosovës.
Gjatë këtij debate me studentë të Fakultetit të Mediave dhe Shkencave Politike të UBT-së, ish-ambasadorja e Kosovës në SHBA foli edhe për raportet e Prishtinës me Washingtonin, duke kërkuar kujdes maksimal në trajtimin e tyre nga ana e Qeverisë së Kosovës.
Ajo tha se Kosova duhet ta kapitalizojë mundësinë që ka tani që ta përmbyllë marrëveshjen me Serbinë në kohën kur në Zyrën Ovale është një mik i madh i Kosovës, si presidenti Joe Biden.
Çitaku duke folur për aktualitetin politik tha se kushdo që mendon se përgjatë këtyre viteve nuk ka pasur progres në Kosovë, mjafton të vizitojë UBT-në dhe të bindet për arritjet e mëdha që kanë ndodhur.
“Kosova ka bërë progres të madh dhe një dëshmi e këtij progresi është edhe UBT”, u shpreh Çitaku, raporton UBT News.