PDK: Shkollat në Ferizaj janë politizuar dhe degraduar

Ferizaj | 23 Nën 2016 | 13:11 | Nga

Partia Demokratike e Kosovës, dega në Ferizaj, thotë se që nga ardhja e LDK-së në krye të qeverisjes në këtë komunë, arsimi si njëra ndër shtyllat më specifike dhe më me peshë e një shoqërie është keqtrajtuar dhe është politizuar skajshmërisht.

Sipas PDK-së, për qëllime të përfitimeve politike të një kaste të caktuar personash, sistemi arsimor në këtë komunë është degraduar.

Dega e PDK-së në Ferizaj numëron në vazhdim shkeljet kryesore.

“E para: Largimin e drejtorëve më të suksesshëm nga shkollat dhe zëvendësimi i tyre me persona të dështuar, me biografi të mjegulluar, madje sjellja e disave nga jashtë (që nuk i plotësonin kriteret e konkursit), të cilët në vitet e 90-ta e kishin braktisur shkollën shqipe, atëherë kur i duheshin më shumë se kurrë. Veprime këto që, sa ishin irrituese, po aq ishin fyese dhe të turpshme për mësimdhënësit e viteve të 90-ta, ky ishte vetëm fillimi i një politike të mbrapshtë dhe shkatërruese ndaj sistemit arsimor në komunën e Ferizajt”, thuhet në komunikatë.

“E dyta: Punësimet pa konkurs dhe pa kritere, mospërfillja profesionale dhe moszbatimi i ligjeve të MASHT-it nga kjo bashkëkeqqeverisje si dhe punësimet e militantëve, vetëm të anëtarësisë së LDK-së dhe AAK-së është kulmi i turpeve të kësaj kaste sunduese. Politikë e pakripur e pa të ardhme, e cila po e dëmton rëndë të nesërmen e brezit shkollar, duke krijuar boshllëqe në rrugëtimin e dijes së tyre”.

“E treta: Punësimet me nga një gjysmënormë, kjo është një risi tjetër e keqe e kësaj bashkë keqqeverisje, e papranueshme në aspektin praktik e pedagogjik. Pra, për katër norma i punësojnë tetë veta, ky është shembulli më absurd. Veprohet kështu me qëllime të caktuara politike, blerjen e votave përmes punësimeve në arsim”.

A s’është ky politizim i shkollës sonë? A s’është ky kushtëzim dhe presion politik ndaj mësimdhënësve?

PDK në Ferizaj thotë se presionet e tilla politike, për fat të keq e kujtojnë sistemin dhe vitet nën sundim që thyen qafën njëherë e përgjithmonë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme