Partia Demokratike e Kosovës (PDK), i bëri thirrje Qeverisë, të hënën, që ta tërheqë projektligjin për pagën minimale, ta ndryshojë e më pas ta ridërgojë në Kuvend për votim, raporton Ekonomia Online.
Deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj, deklaroi të hënën në Prishtinë, se në këtë projektligj nuk janë përfshirë veteranët e UÇK-së, gjë që sipas tij, është e papranueshme të lihen anash.
Në një konferencë për medie, Qalaj ka thënë se ky Projektligj është diskriminues dhe sipas tij nuk i plotëson nevojat e qytetarëve.
Qalaj kërkoi që paga minimale të ngritet në 350 euro dhe të bëhet plotësim ndryshimi i Projektligjit për Pagën Minimale.
“Partia Demokratike e Kosovës kërkon që sot të mos votohet fare ky projektligj, të tërhiqet në Qeveri, pastaj të plotësohet me këto kategori. Po ashtu, kërkojmë që lartësia e pagës minimale të ngritet në 350 euro, sepse shuma prej 250 eurosh nuk mjafton as për gjërat elementare të shumicës së kategorive të cilat do të futen në këtë pagë minimale.”, tha Qalaj.
Ai tha se Qeveria e Kosovës ka bërë një propozim në mënyrë arbitrare pa u konsultuar fare me Këshillin Ekonomiko-social, i cili në bazë të Ligjit të Punës duhet të jap propozimin për pagën minimale në Kosovë.
“Qeveria duke u sjellë në mënyrë arrogante ka propozuar që paga minimale të jetë 250 euro, mirëpo ka përjashtuar shumë kategori të rëndësishme të vendit. Ju e dini që premtimet e kryeministrit të tashëm Albin Kurti gjatë fushatës zgjedhore, kanë qenë që paga minimale të jetë 350 dhe me këtë ka bërë kampanjën kudo dhe ka marrë mbështetjen gjerë të masave popullore. Ndërsa me anë të këtij projektligji propozon ngritjen e pagës minimale në 250 euro, pagë e cila nuk i plotëson as për së afërmi nevojat e qytetarëve të Kosovës, duke pasur parasysh që zhvillimet e fundit që kanë ndodhur në vend me ngritjen enorme të çmimeve, sidomos të produkteve bazike që prekin direkt qytetarët e Kosovës”, theksoi Qalaj.