PE i kërkon Osmanit politika arsimore dhe luftë kundër korrupsionit

Prishtinë | 27 Shk 2020 | 15:25 | Nga Ekonomia Online

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani u takua me zëvendëspresidentin e Parlamentit Evropian Rainer Wieland, i shoqëruar nga disa kryetarë komunash e biznesesh gjermane.

Zonja Osmani i ka thënë zëvendëspresidentit të Parlamentit Evropian se synon ta fuqizojë edhe më tej rolin e Kuvendit si dhe ta rrisë mbikëqyrjen efektive ndaj Qeverisë.

Në këtë kontekst, ajo ka potencuar se sikurse edhe në Gjermani, Kuvendi i Kosovës po përpiqet ta reduktojë përdorimin e letrës, duke i dhënë një fokus të veçantë zhvillimit të politikave mjedisore.

Kurse zëvendëspresidenti i PE-së, Wieland ka shprehur interesimin që të vazhdojë projekti i shkëmbimit të nxënësve me komunat gjermane. Në të njëjtën kohë, ai ka ftuar për vizitë në Baden-Württemberg, një delegacion nga Kosova, në funksion të shkëmbimit të përvojës parlamentare dhe asaj nga pushteti lokal.

Në diskutimin e tij, Wieland ka potencuar rëndësinë e politikave arsimore dhe luftës kundër korrupsionit.

Ndërkaq kryekuvendarja Osmani e ka cilësuar korrupsionin pengesë kryesore për investitorët dhe të njëjtën kohë ka thënë se institucionet e tashme të Kosovës e kanë prioritet luftën ndaj kësaj dukurie.

Ajo ka falënderuar zotin Wieland për mbështetjen e deritashme dhe ka thënë se projektet me të cilat shkëmbehet dija, e ndihmojnë fuqishëm Kosovën.​

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme