Parlamenti Evropian vendosi të dërgojë një mision në Maltë, për të hetuar respektimin e sundimit të ligjit, pasi ish-shefi i shtabit të kryeministrit u arrestua si pjesë e një hetimi për vrasjen e një gazetareje.
Policia njoftoi të mërkurën se Keith Schembri, një mik i ngushtë i kryeministrit Joseph Muscat, u arrestua, pasi emri i tij u përmend nga biznesmeni Yorgen Fenech si një “person me interes” në hetimin për vrasjen e gazetares, Daphne Caruana Galizia.
Të martën Schembri dha dorëheqje nga pozita.
Pas arrestimit të tij, drejtuesit e grupeve politike në Parlamentin Evropian vendosën të dërgojnë “një mision urgjent” për të vlerësuar sundimin e ligjit në shtetin anëtar të Bashkimit Evropian, tha partia e Gjelbër, në një deklaratë.
Një zyrtar i Parlamentit të BE-së konfirmoi se një mision “i gjetjes së fakteve” do të vendoset në Maltë sa më shpejt të jetë e mundur.
Ministri i Turizmit i Maltës, Konrad Mizzi, gjithashtu njoftoi dorëheqjen e tij ndërsa ministri i Ekonomisë, Christian Cardona, tha se ai po pezullonte veten nga detyrat e tij, derisa të përfundonte hetimi i vrasjes.
“Situata në Maltë ka pasoja për të gjithë projektin evropian”, tha eurodeputeti Manfred Weber, para gjatë një seance të parlamentit në Strasburg.
Drejtuesi i grupimit socialist në Parlamentin Evropian, Iratxe Garcia Perez, tha se parlamenti duhet të jetë i kujdesshëm, që të mos ndërhyjë në hetimet gjyqësore në vendet anëtare.
Parlamenti ka fuqinë të fillojë procedura disiplinore ndaj shteteve të BE-së të akuzuar për shkelje të të drejtave themelore. Ai e ka bërë këtë kundër Hungarisë, vitin e kaluar, lidhur me reformat mbi mediat dhe gjyqësorin të paraqitura nga kryeministri Viktor Orban.
Parlamenti gjithashtu ka vendosur të diskutojë mbi zhvillimet e fundit në Maltë, në seancën e tij të ardhshme plenare, në mes të dhjetorit.
Daphne Caruana Galizia, gazetare hulumtuese, është vrarë në tetor të vitit 2017, pasi ka shkruar një seri të artikujve kundër korrupsionin.
Mes tjerash, ajo ka shkruar se një kompani e quajtur 17 Black, në pronësi të biznesmenit Fenech, ka pasur lidhje me politikanë të nivelit të lartë.