Von Cramon: Kemi kërkuar nga Qeveria e re përqendrim në dialogun me Serbinë

Prishtinë | 25 Mar 2021 | 17:39 | Nga Ekonomia Online

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, ka thënë se i ka kërkuar Qeverisë së re në krye me kryeministrin Albin Kurti, që të ketë përqendrim të plotë në dialogun me Serbinë

Von Cramon në një konferencë për media shpjegoi në pika të shkurta raportin e dërguar në Parlamentin Evropian për Kosovën për vitin 2019/20. Ajo shtoi se liberalizimi i vizave është një çështje urgjente që duhet të zgjidhet sa më shpejt për qytetarët kosovarë. 

“Kemi prezantuar draft-raportin në nëntor, ndërsa tani e kemi prezantuar të plotë për dy vite 2019/2020. Patëm një bashkëpunim shumë të mirë me të gjitha grupet e përfshira që përmirësuan këtë raport. Me këtë raport, dërguam një mesazh të fortë në Kosovë dhe për Kosovën për integrimet evropiane. Ka ende disa probleme, si korrupsioni, reformat në drejtësi. Ne e kemi vlerësuar si pozitive praninë e EULEX-it në Kosovë. Tashmë, atje është një Qeverie e re, që është formuar dy ditë më parë dhe presim që të përmirësojë gjërat. Liberalizimi i vizave është një çështje urgjente. Sot edhe një herë tjetër, i kemi adresuar Parlamentit Evropian se sa e nevojshme është liberalizimi i vizave për kosovarët. Kemi kërkuar nga Qeveria e re të përqendrohet në dialogun Prishtinë – Beograd. Kemi parë disa përparime në dialogun me të dërguan e BE-së, Miroslav Lajçak. Marrëveshja me Serbinë është shumë e rëndësishme për integrimet evropiane”, deklaroi Von Cramon.

Von Cramon në fund i bëri thirrje spektrit politik në vend që të zgjidh edhe çështjen e presidentit sa më shpejt. (Koha)

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme