PE-ja ua heq imunitetin ish-liderit katalonjas dhe dy ministrave të tij

Prishtinë | 09 Mar 2021 | 19:39 | Nga Ekonomia Online

Parlamenti Evropian ka votuar të martën për t’ia hequr imunitetin ish-liderit katalonjas, Carles Puigdemont, dhe dy ministrave të tij, duke i vënë ata një hap më afër ekstradimit dhe përndjekjes penale në Spanjë.

Ligjvënësit evropianë e kaluan me 400 vota për, 248 kundër dhe 45 abstenime, propozimin për heqjen e imunitetit të Puigdemontit. Ish-lideri, bashkë me dy ministrat e tjerë, kishin ikur në Belgjikë gjatë vitit 2017, për t’iu shmangur arrestimit lidhur me organizimin e referendumit të pavarësisë së Katalonjës, që ishte cilësuar i paligjshëm nga gjykatat në Spanjë.

Rasti ka rezultuar me lëshimin e një urdhër arrestimi ndërkombëtar nga Spanja, kundër tyre, shkruajnë mediat e huaja. 

Ministrja e Jashtme spanjolle, Arancha González Laya, ka vlerësuar se vendimi demonstron që një anëtar i Parlamentit Evropian nuk mund ta përdorë pozitën për t’i ikur drejtësisë.

Votimi, ndërkaq, ka reflektuar çarjen e radhës përbrenda koalicionit qeveritar spanjoll, pasi që anëtarët e së majtës votuan për vazhdimin e imunitetit, ndërsa partnerët e tyre socialistë votuan kundër.

Nëntë udhëheqës të tjerë të fushatës për pavarësi, që kanë mbetur në Katalonjë, janë dënuar deri në 13 vjet burgim për rolin e tyre në tentimin e dështuar të shpalljes së pavarësisë, në një gjykim të tetorit të vitit 2019.

Të ngjashme