Peci: 444 veprime në një drejtori për më pak se dy muaj, askush mbi ligjin

Prishtinë | 14 Mar 2026 | 21:07 | Nga Ekonomia Online

Zyrtari komunal, Faton Peci, ka thënë se brenda më pak se dy muajsh nga emërimi i ekzekutivit janë ndërmarrë qindra veprime në një nga drejtoritë komunale, duke e cilësuar këtë si shembull të “qeverisjes efikase”.

Sipas tij, vetëm në një drejtori janë realizuar 444 veprime, në përpjekje për të adresuar gjendjen që, siç tha ai, është trashëguar nga pushteti i kaluar.

“Dy ditë pa u bërë dy muaj nga emërimi i ekzekutivit, vetëm në njërën nga drejtoritë janë ndërmarrë 444 veprime”, ka shkruar Peci.

Ai ka theksuar se komuna është përballur me një situatë të rëndë, duke përmendur uzurpimin e pronës komunale, ndërtimet pa leje, shfrytëzimin e pronave publike për vite të tëra pa kryer obligimet ligjore dhe trajtimin selektiv të rasteve.

“Përballë një gjendjeje të rëndë të trashëguar nga pushteti i kaluar”, ka theksuar ai, duke renditur një sërë shkeljesh, përfshirë edhe mosrespektimin e kontratave, mungesën e veprimit ndaj deponive ilegale, si dhe shfrytëzimin e hapësirave publike pa pagesë.

Peci ka bërë të ditur se ndër veprimet e ndërmarra deri tani janë rrënimi ose largimi i 6 objekteve, ndërsa 14 të tjera janë në proces, si dhe ndërprerja e 6 ndërtimeve pa leje.

“166 veprime për lirimin e hapësirave publike janë ndërmarrë, ndërsa janë larguar edhe rreth 60 reklama të vendosura kundërligjshëm nga hapësirat publike”, ka shkruar ai.

Sipas Pecit, janë zhvilluar edhe aksione për rregullimin e tregut, kontrolle në transportin rrugor për mbrojtjen e konsumatorëve, si dhe janë shqiptuar 22 gjoba ndaj shkelësve të ligjit.

Ai gjithashtu ka theksuar se për herë të parë po zbatohet një praktikë e qartë e përgjegjësisë ligjore ndaj uzurpatorëve të pronës publike.

“Në rastet kur uzurpatorët nuk i rrënojnë objektet brenda afatit të përcaktuar ligjor, Komuna ndërhyn për rrënimin e tyre, ndërsa shpenzimet obligohen t’i mbulojnë vetë uzurpatorët”, ka thënë Peci.

Ai ka theksuar se komuna do të vazhdojë me zbatimin e ligjit dhe trajtimin e barabartë të qytetarëve.

“Mbesim të përkushtuar në zbatimin e ligjit dhe trajtimin e barabartë të qytetarëve. Askush mbi ligjin!”, ka përfunduar ai.

Të ngjashme