Peci: Asociacioni do të ketë kompetenca ekzekutive të karakterit menaxhues

Prishtinë | 12 Mar 2023 | 14:40 | Nga Ekonomia Online

Drejtori i KIPRED-, Lulzim Peci, pranimin e planit evropian nga kryeministri Kurti, e ka vlerësuar si një lajm të mirë për Kosovën, në mënyrë që të shmanget rreziku i aventurave politike.

Peci në një intervistë për gazetën Nacionale, ka thënë se Asociacioni nuk paraqet rrezik ekzistencial për Kosovën. Sipas tij, Asociacioni do të ketë karatkera ekzekutive në aspektin menaxhues, e jo në karakterin shtetëror.

Lulzim Peci i ka vlerësuar si “shprehje të rezervave” qëndrimet e partive në opozitë ndaj planit evropian. Ai ka shprehur kritika lidhur me dështimin e zbatimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit.

Nacionale: Z. Peci, kryeministri Albin Kurti e ka pranuar Planin e BE-së. Si e keni parë pranimin e këtij plani nga kryeministri Kurti?
Peci: Pranimin e këtij plani nga Kryeministri Kurti e shoh si një evoluim të tij nga një utopist dhe neglizhues i realiteteve të politikës ndërkombëtare, në një politikan pragmatik. Mendoj se ky është një lajm i mirë për Kosovën, pasi tani vendi ynë ka mundësi të shmangët nga rreziku i aventurave politike, të cilat kanë pasur potencial që ta dëmtojnë shumë.

Ky plan paraqet një hap i rëndësishëm drejtë konsolidimit të shtetësisë të vendit tonë, si dhe normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, e cila tani do ta pranon ekzistencën e Republikës, edhe pse de jure nuk e njeh atë.

Nacionale: Publikimi i planit ka nxitur reagime të shumta. Cila mendoni se është pika me problematike e këtij dokumenti?

Peci: Ndoshta pika e 7 e planit për shkak të paqartësisë së saj. Reagimet më alarmante i kemi pasur për “nivelin e përshtatshëm vet-menaxhimin e komunitetit serb”. Këtu duhet të kemi parasysh se vet-menaxhimi ka karakter operacional dhe jo të vetë-qeverisjes që mund të nënkuptoj edhe autonominë. Në anën tjetër, sovraniteti nënkupton ligj-bërjen dhe institucionet e zbatimin e tij, kompetenca këto nuk do t’i ketë në asnjë mënyrë asociacioni.

Nacionale: Kritikat kryesore janë për piken 7, ku flitet për Asociacionin dhe statusin e kishës. Sa e rrezikshme është kjo pikë për Kosovën?

Peci: Për këtë pyetje nuk mund të jepi përgjigje të kualifikuar, pasi nuk ka informata të mjaftueshme, gjegjësisht nuk e kemi statutin e Asociacionit dhe marrëveshjen për statusin e Kishës Ortodokse Serbe, mirëpo mendoj se asnjëra prej tyre nuk paraqesin rrezik ekzistencial për vendin tonë. Sovraniteti nënkupton ligj-bërjen dhe institucionet e zbatimin e tij, kompetenca që nuk do t’i ketë në asnjë mënyrë asociacioni, dhe Kisha Ortodokse do të funksionoj në bazë të një marrëveshjeje, e cila duhet të jetë në pajtim me karakterin laik të shtetit të Kosovës. Mirëpo, për sa i përket Kishës do ta paguajmë një llogari me kamatë për shkak të mos-zbatimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit. Këtu kemi dështuar si shtet, pasi kemi treguar që kemi kapacitet të mos i zbatojmë vendimet e gjykatave tona, dhe Kishës i kemi dhënë argument të fortë që shteti i Kosovës nuk ofron asaj siguri juridike.

Nacionale: Megjithëse parimisht e ka pranuar, kryeministri Kurti vazhdimisht po deklaron se nuk do të ketë Asociacioni me kompetenca ekzekutive. A është e mundur një gjë e tillë?

Peci: Asociacioni me siguri se do të ketë kompetenca ekzekutive të karakterit menaxhues, dhe me shumë gjasë nuk do të ketë kompetenca ekzekutive të karakterit shtetëror, aq më tepër pasi ai nuk do të ketë kompetenca legjislative.

Nacionale: Tani priten negociatat për planin e zbatimit. Sipas BE-së, këto negociata pritet të përmbyllen deri në fund të këtij muaji. Si duhet të veprojë kryeministrit për këtë pjesë të negociatave?

Peci: Nuk jam këshilltar i tij, prandaj nuk mund të përgjigjem në këtë pyetje.

Nacionale: Deri me tani dy partitë opozitare, PDK dhe LDK kanë shprehur rezerva ndaj këtij plani. Si e keni parë qëndrimin e tyre?

Peci: Mendoj se duhet të bëjmë dallimin në mes të kundërshtimit dhe shprehjes së rezervave. Këtu dua të theksoj një gjë, dhe atë që ky plan nuk është i karakterit merre ose leje, jo vetëm për Qeverinë, por për shtetin e Kosovës, duke përfshirë këtu edhe opozitën.

Të ngjashme