Peci: Digjitalizimi do ta fuqizojë sektorin e bujqësisë

Prishtinë | 05 Nën 2024 | 10:50 | Nga Ekonomia Online

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, ka thënë se digjitalizimi ka prioritet dhe rëndësi të veçantë, jo vetëm për bujqësinë, por për gjithë zhvillimin ekonomik të vendit, raporton Ekonomia Online. 

Në punëtorinë fillestare për Programin e Bujqësisë Digjitale dhe Planin e Veprimit në Kosovë, Peci ka thënë se ky program do të sigurojë një qasje sistematike dhe të informuar për integrimin e mjeteve digjitale në të gjithë zinxhirin e vlerave bujqësore. 

Ai ka theksuar se programi do të ndikojë edhe në përmirësimin e efikasitetit të burimeve, forcimin e ekonomive rurale dhe ndërtimin e kapaciteteve të fermerëve për të adoptuar praktika inovative. 

“Është njëra prej veprimeve ose masave që ka prioritet dhe rëndësi të veçantë. Gjatë mandatit tim, kemi rritur nivelin e partneritetit ndërkombëtar për 184 për qind,  në vlerë monetare prej 51 milionë euro. Procesi i digjitalizimit do të thotë lehtësim dhe një hap tutje në rritjen e produktivitetit. Është pjesë e rëndësishme e strategjisë nacionale, pa dyshim se qëllimi është rritja e konkurrencës në sektorin e bujqësisë, nxitjen e inovacionit, përmirësimin e vendimmarrjes”.  

“Ky objektiv do të kontribuojë për vendin që prodhimi të rritet në nivel të eksportit. Kemi shënuar rritje përreth 94 për qind. Kemi marrë hapa konkret, si rezultat i mbështetjes përmes granteve ekzistojnë ferma të digjitalizuara. Andaj, e kam parë të domosdoshme krijimin e mundësive të reja në sektorin e bujqësisë. Ne këtë vit kemi ofruar 70 bursa në fakultetin e Bujqësisë. Një hap tjetër është investimi në energjinë e ripërtërihem. Duke rritur përkrahjen institucionale nga fermerët për 300 milionë euro. Ne jemi ministria që jemi shpallur si ministria më transparent në vend, zyra e ministrit të bujqësisë vazhdon të jetë e hapur për të gjithë”, ka thënë Peci. 

Koordinatorja për Zhvillim e Kombeve të Bashkuara, Arnhild Spence, ka thënë se se Kombet e Bashkuara do të mbështetin digjitalizimin e bujqësisë, me qëllim që Kosova të ketë një zhvillim ekonomik të qëndrueshëm.

“Sot shënohet hapi i parë sa i përket këtij programi. Ky sektor është shumë i rëndësishëm dhe OKB është e gatshme të ndihmojë. Duhet të pajisemi me mjete dhe të përqafojnë digjitalizmin. Kombet e Bashkuara avokojnë për një zhvillim të qëndrueshëm. Digjitalizimi i bujqësisë zvogëlon varfërinë dhe ka barazi gjinore, sepse do të ketë mundësi te mëdha për gratë. Fusha e bujqësisë është mjaft e pasur por ka barriera, vetëm 9.4 për qind e grave kanë pronë në emër të tyre. Ky është një angazhim i papaguar në bujqësi, por ka shumë të tjera në punë jo formale të papaguar. Duhet ta ndërrojmë këtë dhe t’i fuqizojmë ato. 64 për qind e ekonomive familjare e konsiderojnë të dobishëm dhe esenciale digjitalizimin. Kombet e Bashkuara janë këtu që t’iu ndihmojnë që t’i adresojmë ato nevoja lokale dhe t’i fuqizojmë ata, në mënyrë që të bëhet ekonomia e qëndrueshme”, ka thënë Spence, raporton EO 

Nëpërmjet zhvillimit të Programit Dixhital të Bujqësisë dhe Planit të Veprimit, Organizata e Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë (FAO) do ta mbështesë Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural për të katalizuar një transformim kuptimplotë duke ofruar një vizion të qartë për dixhitalizimin e bujqësisë në Kosova dhe përvijimi i hapave veprues.

Gjithashtu, Programi do të lehtësojë përafrimin me standardet e BE-së dhe do të përmirësojë ofrimin e shërbimeve publike për fermerët, duke e bërë më të lehtë aksesin në mbështetjen e qeverisë përmes platformave dixhitale.

Në nivel lokal, dixhitalizimi është një fushë prioritare kyçe siç është përshkruar në Agjendën Dixhitale të Kosovës 2030, ku autoritetet publike pranuan se sektori i TIK-ut përfaqëson “një pjesë të rëndësishme të ekonomisë mbi të cilën Kosova duhet të ndërtojë potencialin e saj zhvillimor”.

Të ngjashme