Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZhR), Faton Peci në një konferencë për medie pas mbledhjes së Qeverisë është shprehur i vendosur se nuk do të ketë asnjë tolerim për ata që e shkelin Ligjin për kontrollin e Duhanit, raporton Ekonomia Online.
Ai ka sqaruar se inspektorët e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë kanë zhvilluar mbi 3 200 inspektime e kanë shqiptuar 460 gjoba.
Peci shtoi se bashkë me inspektorë të AUV-it ditëve të fundit ka inspektuar edhe tregjet ilegale të tregtimit të shtazëve e shpezëve, për çka tha se do të veprohet konform ligjeve e mbrojtjes së shëndetit të qytetarëve.
Përderisa shtoi se këtë vit Kosova ka shënuar rekord të të mbjellave sidomos sa i përket drithërave.
“AUV-i ditëve të fundit ka marrë veprime për parandalimin e pirjes së duhanit në vendet e ndaluar, jemi në implementimin e këtij ligji në lokalet e ndryshëm, hotele, kafiteri. Janë bërë mbi 3200 inspektime e janë shqiptuar 460 gjoba, nga këtu përçojmë mesazhin që të respektohet ligjin që të ruajmë shëndetin publik”.
“… kemi inspektuar edhe tregjet ku ushtrohet veprimtaria ilegale me tregtimin e shtazëve e shpezëve, jemi vendosur në zbatim të ligjit edhe në këtë pjesë. Viti 2023 është rekord i të mbjellave në sektorin e dritharëve, do të risimin nivelin e kontrollit deri në 100%”.
Peci sqaroi se agroturizmi, së shpejti do të rregullohet me legjislacionin përkatës në përputhshmëri me legjislacionin e BE-së.
“Projektligji për Turizëm Rural është përfshirë në Programin Legjislativ të aprovuar në Qeverinë e Republikës së Kosovës, si afat për votimin e tij është përcaktuar data 30 shtator 2023. Synimi i këtij projektligji është qeverisja më e mirë përmes rregullimit dhe promovimit, duke mundësuar zhvillimin ekonomik dhe ndërmarrjen e reformave strukturore me theks të veçantë në marrjen e masave ligjore dhe institucionale për krijimin e kushteve më të mira për turizëm rural, përmirësimin e kushteve të jetesës dhe të ardhurave të banorëve në zonat rurale përmes përdorimit më të mirë të trashëgimisë natyrore, kulturore, dhe zhvillimit të atraksioneve tjera turistike ne zonat rurale”.
Ministri i BPZhR-së, Faton Peci në konferencë prezantoi nismën për lidhjen e marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Agjencisë Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar – GIZ për projektin “Projekti për Promovimin e Ndërmarrësisë”.
“…kjo nismë ka për qëllim diversifikimin e fermave dhe aktivitetet alternative në zonat rurale në Kosovë. Kësaj nisme do t’i bashkohet edhe projekti në bashkëfinancim me qeverinë gjermane dhe fonde të BE-së në vlerë prej 8 milionë Euro i cili do të ofrojë mbështetje në ngritjen e kapaciteteve institucionale në procesin e Akreditimit të AZHB dhe ofrimin e granteve për ndërmarrjet bujqësore dhe Agro përpunuese”.
Fjalimi i plotë:
Të nderuar përfaqësues të medias,
Më lejoni të ju informoj mbi disa prej të arriturave të Qeverisë së Republikës së Kosovës në sektorin e bujqësisë dhe fushave që ndërlidhen me të.
AGROTURIZMI
Për herë të parë po vendosen politika për zhvillimin e Agroturizmit, respektivisht Turizmit Rural. Deri me tani kjo fushë nuk ka qenw e rregulluar me ligj, andaj kjo fushë do të rregullohet dhe do jetë në përputhshmëri me legjislacionin e BE-së.
Projektligji për Turizëm Rural është përfshirë në Programin Legjislativ të aprovuar në Qeverinë e Republikës së Kosovës, si afat për votimin e tij është përcaktuar data 30 shtator 2023.
Synimi i këtij projektligji është qeverisja më e mirë përmes rregullimit dhe promovimit, duke mundësuar zhvillimin ekonomik dhe ndërmarrjen e reformave strukturore me theks të veçantë në marrjen e masave ligjore dhe institucionale për krijimin e kushteve më të mira për turizëm rural, përmirësimin e kushteve të jetesës dhe të ardhurave të banorëve në zonat rurale përmes përdorimit më të mirë të trashëgimisë natyrore, kulturore, dhe zhvillimit tw atraksioneve tjera turistike ne zonat rurale.
Ky veprim i ndërmarr legjislativ është në vijë të plotë me përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për vendosjen e ligjshmërisë dhe të drejtësisë në objektivat e hollësishme afatshkurtra dhe veprimet e politikave të bujqësisë dhe zhvillimit rural, duke i referuar përmirësimit dhe zhvillimit të politikave për menaxhimin e qëndrueshëm të burimeve natyrore.
NISMA PËR LIDHJEN E MARRËVESHJES NDËRMJET: QEVERISË SË REPUBLIKËS SË KOSOVËS E PËRFAQËSUAR NGA MINISTRIA E BUJQËSISË, PYLLTARISË DHE ZHVILLIMIT RURAL DHE AGJENCISË GJERMANE PËR BASHKËPUNIM NDËRKOMBËTAR (GIZ), PËR “PROJEKTIN PËR PROMOVIMIN E NDËRMARRËSISË”.
Nisma në fjalë është iniciuar duke pasur parasysh përvojën e ndërtuar gjatë bashkëpunimit të MBPZHR dhe GIZ në kuadër të fondeve të zbatuara nga Qeveria Gjermane dhe ka për qëllim diversifikimin e fermave dhe aktivitetet alternative në zonat rurale në Kosovë.
Kësaj nisme do t’i bashkohet edhe projekti në bashkëfinancim me qeverinë gjermane dhe fonde të BE në vlerë prej 8 milionë Euro i cili do të ofrojë mbështetje në ngritjen e kapaciteteve institucionale në procesin e Akreditimit të AZHB dhe ofrimin e granteve për ndërmarrjet bujqësore dhe Agro përpunuese.
Përmes kësaj nisme do të mbështeten masat adekuate të politikave dhe instrumenteve mbështetëse, programe trajnimi të zhvilluara mirë, të cilat do të përfshijnë shërbime konsulence për bizneset fillestare dhe trajnime të vazhdueshme në zonat më pak favorshme rule në Kosovë, si dhe ofrimin e mbështetjes për zhvillimin ekonomik.
Lidhja e kësaj marrëveshje është e rëndësishme për Qeverinë e Republikës së Kosovës, sepse do të ndikoj në rritjen e punësimit në zonat më pak të favorshme rurale, përmes krijimit të mundësive të reja të punës ose vetëpunësimit dhe ruajtjen e vendeve të punës ekzistuese nëpërmjet zhvillimit të aktiviteteve të biznesit, duke kontribuar kështu në qëndrueshmërinë e fermës dhe ngritjen e nivelit të aktivitetit ekonomik në ato zonat, si dhe uljen e shpopullimit rural.
Marrëveshja merr parasysh:
ZBATIMI I LIGJIT PËR DUHANIN
Kemi filluar një zbatim shumë më strikt të ndalimit të pirjes së duhanit në hapësirat e mbyllura publike. Për një periudhe prej më pak se 2 muaj janë kontrolluar më shumë se 3228 subjekte afariste.
Në të gjitha rastet ku është konstatuar se kemi të bëjmë me shkelje të ligjit janë shqiptuar dënime ku janë lëshuar 460 gjoba mandatorë deri më tani.
INSPEKTIMI I PRODUKTEVE USHQIMORE DHE TREGJEVE
Kemi rritur ndjeshëm numrin e inspektimeve për identifikimin e produkteve ushqimore me afat të skaduar, si dhe inspektimet në tregjet ilegale ku po bëhet therja e pa-autorizuar në hapësira publike e shpezëve dhe kafshëve.
(Opcionale për tu lexuar, vlerësoje gjatë Konferencës)
Të Premten datë 05.05.2023 deri në orët e mesnatës, AUV bashkë me Policinë kanë, ka zhvilluar një aksion për kontroll të dy lokacioneve. Fillimisht është gjetur lokacioni i parë ku edhe dyshohej për falsifikim të datave në produkte dhe pastaj Inspektorët me Policinë kanë arritur të gjejnë edhe lokacionin e dytë, në të cilin është gjetur edhe një sasi prej 1500 çokolata me afat të skaduar për më shumë se një vit. Gjatë gjithë kohës kam qenë i informuar për rrjedhën dhe hapat.
Po ashtu, kam kërkuar që menjëherë po atë natë të lëshohet njoftimi me të cilin bëhet thirrja për kujdes të qytetareve ndaj produkteve të caktuara sipas origjinës dhe emërtimit. I falënderoj mediat që menjëherë e kanë shpërndarë lajmin dhe në ketë formë është mbrojtur konsumatori.
Produktet që ishin ndaluar dhe bllokuar si të dyshimta në njërin lokacion janë asgjësuar në prezencë të inspektorëve dhe Policisë në sasi prej 3100 copë. Pra, sasia totale e çokolatave të falsifikuara dhe të skaduara është 4600 copë.
Për këtë sukses të madh në parandalim të rrezikimit të shëndetit të fëmijëve në radhë të parë dhe të tjerëve, dua ti falënderoj qytetaret raportues. Efikasiteti i punës tonë shpesh varet nga raportimi. Në ketë mes, kur bëhet fjalë për shëndet, nuk ka ne dhe ju. Por ka të gjithë për të gjithë secili nga roli i vet.
Me datën 07.05.2023 është ndërmarrë aksioni për t’i parandaluar therjet dhe shitjen e shpezëve në hapësirat e paautorizuara mbrapa tregut të veturave, me ç’rast një operatori iu është dhënë fletëparaqitja në gjykatë, kurse personave tjerë nuk iu është lejuar veprimtaria duke i evidentuar nga inspektorët dhe policia e Kosovës.
Me datë 09.05.2023 është ndërmarrë aksioni në hapësirat në lagjen Vranjevc për të cilën kemi pasë informata për aktivitete të therjes së shpezëve me ç’rast tre operatorë janë evidentuar dhe larguar nga hapësira.
CILAT JANË SAKTË DETYRIMET LIGJORE TË KOMUNAVE PËR TREGJET ? CILAT JANË OBLIGIMET TONA PËR SHËNDETIN PUBLIK DHE SHËNDETIN E KAFSHËVE ?
Licencimi i shërbimeve publike dhe objekteve duke përfshirë ato që kanë të bëjnë me argëtimin, aktivitetet kulturore, ushqimin, strehimin, tregjet, shitësit në rrugë, etj; është kompetencë vetanake e komunave e përcaktuar me LVL. Përjashtim bëjnë inspektimet në fushën e tregut, ushqimit, sanitari, fitosanitari dhe veterinari.
Inspektimet e fushave si më lartë kanë qenë të komunave, mirëpo me legjislacionin për ushqimin dhe legjislacionin për mbikëqyrjen e tregut, inspektorët e këtyre fushave tani janë në kompetencë të nivelit qendror.
Në Ligjin e Veterinarisë 21/2004, Udhëzimin Administrativ MA-Nr. 05/2007 “Për përcaktimin e kushteve të tregjeve të kafshëve”, janë të specifikuara saktë obligimet e Komunave të vendit.
Sipas Neni 11, paragrafi 11.2 thuhet: “Për tregjet ekzistuese të kafshëve, Autoritetet kompetente komunale janë të obliguara që kushtet e tregjeve t’i plotësojnë sipas kërkesave të këtij udhëzimi administrativ në afatin prej gjashtë (6) muajsh nga dita e nënshkrimit të tij”.
Sipas Nenit 10 të këtij udhëzimi administrativ, të gjitha kafshët e gjalla të vëna në treg, duhet të plotësojnë dokumentacionin relevant:
a) certifikatën veterinare shëndetësore
b) certifikatën e transportit
c) numrin zyrtar të matrikulimit
d) pasaportën dhe
e) vërtetimin për dezinfektimin e mjetit transportues deri në treg.
Pra, bazuar në UA MA-Nr. 05/2007, Neni 10 dhe 11, hapja e tregjeve të kafshëve nuk mund të bëhet pa u plotësuar kushtet e përcaktuara me këtë udhëzim administrative. Kjo nënkupton që shitblerja e kafshëve nuk mund të bëhet jashtë standardeve të përcaktuara me legjislacionin në fuqi, sepse në rastet kur mungojnë dokumentacioni sipas Nenit 10 të këtij udhëzimi administrative, praktikisht nuk dihet prejardhja e kafshës respektivisht mungon informacioni mbi shëndetin e asaj kafshe.
Sipas legjislacionit në fuqi, Ligjit të Veterinarisë 21/2004, Neni 8 “Kontrolli i sëmundjeve infektuese dhe ngjitëse” dhe Ligjit të Përkujdesit ndaj kafshëve Nr. 02/L-10, Neni 4 “Mbajtja e kafshëve”, janë të specifikuara detyrimet që kanë personat fizik dhe juridik ndaj kafshëve.
EFEKTI I MBËSHTETJES SË BUJQVE ME SUBVENCIONE DHE GRANTE, SI DHE PROJEKTET KAPITALE NE BUJQËSI
Kemi rritur ndjeshëm përkrahjen për bujqit tanë.
Ne besojmë që si rezultat i rritjes së mbështetjes që Qeveria ka ofruar për bujqësinë, ne kemi pranuar raporte për rritje të sipërfaqeve të mbjella me thuajse të gjitha kulturat bujqësore, ku posaçërisht vlen të theksohet se tek drithërat nga 68,728 ha të mbjella në vitin 2021, sipërfaqet e mbjella në vitin 2023 janë 112,340 ha ose për 43,612 ha më shumë (63.45% më shumë) krahasuar me vitin 2021.
Prej kulturave bujqësore rritjen më të madhe e kemi tek gruri dhe misri.
Në historinë e pasluftës është viti i parë rekord me sipërfaqet e mbjella dhe besojmë që këtë vit vendi ynë do t’i përmbushë nevojat për konsum në masën mbi 80%. Jemi në fazën e përgatitjes së Programit të Zhvillimit Rural për vitin 2023 (Programi i granteve), përmes të cilit do të mbështeten projektet zhvillimore investuese të bujqve. Përveç subvencioneve dhe granteve, Ministria është duke zhvilluar edhe një numër të caktuar të projekteve kapitale, që do të ndikojnë në përmirësimin e infrastrukturës në bujqësi.
Rritja e madhe e përkrahjes në vete mund të sjellë edhe mundësinë e keqpërdorimit nga ana e individëve të caktuar, duke mos deklaruar drejtë për aktivitetet e tyre bujqësore. Për këtë qellim, këtë vit do të ndryshojmë metodologjinë e mbikëqyrjes (kontrollit) së subvencioneve të ndara për bujq. Bazuar edhe në të gjeturat nga vitet paraprake, do të rritet kontrolli tek disa prej kulturave bujqësore, ku kontrolli do të jetë deri në masën 100%.
INVESTIMET KAPITALE
Është përfunduar faza e parë për rehabilitimi e sistemit të ujitjes të Radoniqit-Dukagjinit për 5.500/ ha sipërfaqe nën ujitje.
Vlera e investimit arrin 4,1 milionë Euro.
8 projekte vazhdojnë me një investim shtesë prej 10 milionë €, implementimi i të cilit fillon tani së shpejti.