Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, ka premtuar më shumë përkrahje për fermerët që merren me bujqësi organike. Para fermerëve, Peci premtoi shtim të buxhetit për grante e subvencione, raporton Ekonomia Online.
Në Konferencën e parë Ndërkombëtare për Bujqësinë Organike në Kosovë, ministri Peci e ka konsideruar bujqësinë së degë të rëndësishme e ekonomisë vendëse teksa tha se bujqësia organike është në mesin e sektorëve që ka potencial të jashtëzakonshëm në Kosovë.
Ai ka bërë të ditur se për çdo produkt organik do të ofrohen 100 euro shtesë për secilin hektar të mbjellur. Peci gjithashtu tha se në kuadër të granteve kanë qenë në dispozicion 1.2 milionë euro dhe besoj që në kuadër të vitit 2023-2024, kjo shifër monetare do të shkojë drejt rritjes.
“Bujqësia është një prej degëve më të rëndësishme të ekonomisë kosovare dhe potencial për zhvillim të hovshëm dhe në kuadër të kësaj, bujqësia organike është në mesin e sektorëve që ka potencial të jashtëzakonshëm. Hartimi i politikave të mira janë në përgjegjësi e ministrisë, kur përcillet me angazhimin e fermerëve të devotshëm, të gjitha këto së bashku shndërrohen në energji të fuqishme e cila na garanton produkte cilësore e të shëndetshme për kosovarët”, tha Peci.
“Ne në vazhdimësi shohim trendet e politikave të legjislacionit dhe programit që e kemi, si për subvencione apo pagesa direkte dhe programe për grante dhe në kuadër të kësaj që në vitin 2022 kanë pasur tretman të konsiderueshëm, ndërsa në vitin 2023 do të jetë më i përkrahur dhe njëra prej masave që i kemi ndërmarrë në kuadër të programit ‘Subvencione apo pagesa direkte’ është se e kemi veçuar çdo prodhimtari ose produkt organik duke iu ofruar 100 euro shtesë për secilin hektar të mbjellur”, u shpreh Peci.
“Në kuadër të granteve kanë qenë në dispozicion 1.2 milion euro dhe besoj që në kuadër të vitit 2023-2024, kjo shifer monetare do të shkojë drejt rritjes”, tha në fund Peci.
E kryetari i shoqatës Organika, Fatmir Krasniqi, ka vlerësuar organizatat ndërkombëtare a të cilat tha se “nuk do të ishin këtu”.
“Shoqata Organika mund t’u them se takimet e para nëpër Evropë, po mos të ishin organizatat ndërkombëtare nuk do të ishim këtu. Synimi ynë kryesor ka qenë që nëpër vendet evropiane ta ngrisim zërin dhe sot jemi prezentë në shumë shtete”, tha Krasniqi.
Filip Gjoka nga shoqata IBMA nga Shqipëria, kërkoi që me shoqatën nga Kosova të bashkëpunojnë së bashku “për t’i dhënë zgjidhje problemeve dhe sfidave”, raporton EO.
“Ndonëse jemi konkurent si në tregun vendor po ashtu edhe ndërkombëtar, duke qenë se kemi shumë sfida duhet t’i kapërcejmë së bashku dhe ta lëmë mënjanë konkurrencën dhe t’i përvishemi punës për t’i dhënë zgjidhje problemeve dhe sfidave të cilat janë të shumta”, tha ai.
Në këtë konferencë të pranishëm ishin përfaqësues të shoqatave vendore, si dhe nga vende të tjera të rajonit të cilët së bashku patën rastin të shkëmbenin përvojat e gjithashtu edhe të diskutonin rreth mundësive që së bashku të jenë konkurrentë në tregjet ndërkombëtare.