Peci: Së shpejti do ta themelojmë Organin Koordinues për menaxhimin e kafshëve mishngrënëse

Prishtinë | 24 Dhj 2024 | 15:57 | Nga Gzim Mujaj

Ministri i Ministrisë Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR) Faton Peci, ka njoftuar se në mbledhjen e radhës të Qeverisë si ministri do të themelojnë Ekipin Intervenues dhe Organin Koordinues për menaxhimin e kafshëve mishngrënëse, raporton Ekonomia Online.

Peci këtë e bëri të ditur në një ceremoni ku si vend ka pranuar një donacion nga organizata “Ecopana/WWF Adria” të pajisjeve, që do t’i menaxhojnë këto kafshë, për ekipin intervenues.

Peci ka thënë se ky është një hap domethënës në ruajtjen e pyjeve dhe diverzitetit.

“Jemi ne fund mandatit qeverisës, gjatë kësaj kohe mua më vjen mirë që kemi bërë hapa të rëndësishme në aspekt të partneriteteve, dokumenteve strategjike por njëkohësisht edhe legjislacionit sa i përket çështjeve të mishngrënësve të mëdhenj. Tash ne jemi në proces të hartimit ose të procedimit si njëra nga pikat e rëndi të ditës së mbledhjes së qeverisë që do ta krijojmë komitetin drejtues që është paraparë si një nga praktikat me të mira që të mund t’i adresojmë në një nivel tjetër. Kemi hartuar edhe strategjinë për pyjet e Kosovës, kemi hartuar planin e veprimit. Kemi pasur veprime konkrete sikurse se ka qenë task-forca për parandalimin e prerjeve ilegale të pyjeve. Gjitha këto veprime edhe në aspektin e prerjeve ilegale, të gjitha trendët janë pozitive. Përkrahja me partnere, mbështetja me teknologjinë e fundit edhe rritja e nivelit të vetëdijes për ashuren që e kemi, të pyjeve edhe botës shtazore, mënyrës se si i menaxhojmë këto janë hapa domethënës”, ka thënë Peci.

Krenare Salihu, drejtoreshe ekzekutive e organizatës “Ecopana/WWF Adria” ka thënë se ky bashkëpunim është shumë i rëndësishëm në mënyrë që të jemi të përgatitur për konfliktet që vijnë nga mishngrënësit e mëdhenj.

Ajo ka thënë se në kuadër të projektit është bërë edhe trajnimi i ekipit intervenues për t’i përdorur këto pajisje.

“Me sukses është përfunduar projekti, pikërisht për faktin se gjatë këtij viti të projektit ne kemi arritur që të themelojmë në Kosovë Ekipin Intervenues për menaxhimin e mishngrënësve të mëdhenj si dhe Organin Koordinuese për menaxhimin e mishngrënësve të mëdhenj. Kjo është shumë më rendis që të kemi një bashkëpunim sa më të mirë ndërinstitucional si dhe të jemi të përgatitur për të gjitha konfliktet që vijnë nga mishngrënësit e mëdhenj. Kemi arritur që të trajnojmë ekipin intervenuese. Kemi arritur gjithashtu të sigurojmë pajisje që ekipi do t’i këtë në kudër të këtij projekti gjithashtu edhe disa prej masave, mbështetje të fermerëve dhe bletarëve që operojnë në lartësi të mëdha mbi detarë ku kemi shumë shpesh konflikt nga ariu dhe kafshët e tjera”, u shpreh ajo.

Tahir Ahmeti, kryesues i Organit Koordinues të këtij projekti ka thënë se arsyet e krijimit të këtyre trupave ndërqeveritare ka të bëjë me menaxhimin e tri kafshëve që janë të mbrojtur me ligj në vend, e ato janë ariu i murrmë, rrëqebulli dhe ujku.

“Krijimi i një Ekipi Intervenues dhe një trupë Koordinues është ide që qarkullon në Evropë goxha gjatë, vendi jonë po i bashkëngjitet këtyre vendeve që ka këto struktura. E pamë zotimin e kryeministri që qeveria do t’i themeloj këto dy ekipe edhe Kosova do të jetë krah i këtyre vendeve. Arsye e funksionimit të këtyre trupave ndërqeveritare është për ata që ka të bëjë me një resurse që tangon shumë institucione edhe struktura jo qeveritare. Fjala është për tri lloje të kafshëve të egra, për ariu i murrmë, për rrëqebullin dhe për ujkun. Pasi këto lloje janë shpallur të mbrojtura”, ka thënë ai.

Miriadi Gërguri, zëvendësdrejtore nga divizioni për mbrojtje të mjedisit në MMPHI, ka thënë se si shtet kemi pasur nevoja për një Ekip Intervenues, e për krijimin e këtij ekipi ajo falënderoi Ecopana/WWF Adria e Ministrinë e Bujqësisë.

Kjo ceremoni shënon themelimin e parë të një ekipi të specializuar dhe organi koordinues për menaxhimin e konflikteve ndërmjet njerëzve dhe mishngrënësve të mëdhenj në Kosovë.

Të ngjashme