Ministri i Bujuqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, ka shënuar Ditën e Gështenjës në Junik, së bashku me kryetarin e kësaj komune, Ruzhdi Shehu.
Peci ka thënë se kjo ditë, e shndërruar në traditë pas 14 vitesh organizimi, pasqyron rëndësinë e gështenjës si një burim ekonomik për zonën e Dukagjinit, raporton Ekonomia Online.
Ai ka theksuar se gështenja ka qenë gjithmonë një mbështetje e qëndrueshme, sidomos në periudha krize, për banorët e Junikut, ku janë mbi 900 hektarë të ngritur me gështenjë.
Megjithatë, Peci ka thënë se ky sektor po përballet me sfidën e kancerit të gështenjës, prandaj për ta mbrojtur këtë pasuri, Ministria po bashkëpunon me institute prestigjioze ndërkombëtare, si Instituti Federal i Zvicrës, dhe po forocn kapacitetet e Institutit Pyjor të Kosovës.
“Juniku, po vazhdon të dëshmojë se përtej bukurive natyrore, ka edhe një identitet të fortë kulturor dhe ekonomik, të cilin po e promovojmë sot me krenari. Kjo festë, e shndërruar në traditë pas 14 vitesh organizimi, pasqyron qartë rëndësinë e gështenjës si një burim ekonomik për komunitetin lokal, duke rikujtuar se në periudha krize gështënja ka qenë një burim i qëndrueshëm i të ardhurave për banorët e Junikut”.
Tutje, ai ka thënë se gjatë mandatit ë tij, për herë të parë gështenja është përfshirë në skemat mbështetëse të MBPZHR-së me subvencione dhe grante, për ta fuqizuar këtë sektor.
“Gjatë mandatit tim si Ministër, komuna e Junikut ka përfituar 188 mijë euro për sistem të ujitjes duke ndihmuar në zhvillimin dhe përmirësimin e aktivitetit të tyre bujqësor. Gjithashtu, për herë të parë gjatë mandatit tim kemi përfshirë gështënjën në skemat mbeshtetëse të MBPZHR, Subvenionce dhe Grante.
“Juniku, me 920 hektarë pyje të gështenjës, tashmë është profilizuar si qendra kryesore e prodhimit të gështenjës në vend dhe një simbol i rëndësishëm ekonomik. Megjithatë, kjo pasuri po përballet me sfida serioze, përfshirë kancerin e gështenjës, i cili po kërcënon prodhimin. Për të mbrojtur dhe ruajtur shëndetin e pyjeve, Ministria e Bujqësisë po punon ngushtë me organizata ndërkombëtare në trajtimin e sëmundjes përmes analizave dhe studimeve të avancuara, të realizuara në institute prestigjioze si Instituti Federal i Zvicrës”.
Peci ka shtuar se është angazhuar ta mbështes këtë sektor, me synimin që Juniku dhe Rrafshi i Dukagjinit të bëhen liderë në prodhimin dhe përpunimin e gështenjës.
“Një pjesë e rëndësishme e këtij angazhimi është ngritja e kapaciteteve të stafit të Institutit Pyjor të Kosovës, ku ekspertiza e fituar po zbatohet me sukses në laboratorin e Institutit të Pyjeve për kontrollin biologjik të sëmundjes.Për të forcuar më tej këto përpjekje, si Ministri kemi nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me Fakultetin e Shkencave të Pyjeve të Universitetit të Prizrenit, duke ofruar stafit akademik mundësinë për të shfrytëzuar kapacitetet laboratorike të Institutit në Pejë për hulumtime në fushën e shëndetit pyjor”.
“Krahas këtyre angazhimeve për mbrojtjen dhe menaxhimin e shëndetit pyjor, rritja e kërkesës për produkte bio-organike e me vlera të larta nutritive i hap rrugën zhvillimit të mëtejshëm të përpunimit dhe eksportit të gështenjës. Si Ministër, do të vazhdoj të mbështesë këtë sektor me synim që Juniku dhe gjithë Rrafshi i Dukagjinit të bëhen liderë në prodhimin dhe përpunimin e gështenjës”, ka thënë ministri Peci, raporton EO.