Shoqata e Onkologëve të Kosovës (ShOK) në bashkëpunim me Repartin e Hemato-Onkologjisë Pediatrike , po mbajnë Konferencën e 7 vjetore, me pjesëmarrje ndërkombëtare, ku po diskutohet në lidhje me zhvillimet e fundit në fushën e onkologjisë pediatrike.
Hapjen e Konferencës e bëri dr. Arben Bislimi, kryetar i Shoqatës së Onkologëve të Kosovës, i cili tha se kjo Konferencë vjetore është mundësi e mirë për diskutim me kolegët nga Holanda dhe Austria, të cilët e do të ligjërojnë për zhvillimet e fundit nga kjo fushë.
Fjalë rasti mbajti edhe drejtori i përgjithshëm i SHSKUK-së, dr. Basri Sejdiu, i cili falënderoi organizatorët dhe profesorët nga Holanda e Austria që po mundësojnë që zhvillimet e fundit shkencore t’i bisedojnë dhe shkëmbejnë përvojat me mjekët e QKUK-së.
Ai shprehu përkrahjen e tij dhe të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës për fushën e onkologjisë dhe të hemato-onkologjisë pediatrike, ku si rezultat i kësaj përkrahje dhe bashkëpunimi, bashkë me Ministrinë e Shëndetësisë kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me ndër qendrat më të mëdha në botë për onkologji pediatrike “Princess Maxima” në Holandë, e cila do të bëjë të mundur që mjekët tanë të kenë trajnime dhe të përfitojnë nga zhvillimet e fundit shkencore.
Profesor Gert- Jan Kaspers nga Qendra për onkologji Pediatrike “Princess Maxima “ në Holandë prezantoj funksionimin e shërbimeve onkologjike pediatrike dhe të arriturat tjera shkencore, përfshirë numrin e rasteve dhe trajtimin që u bëhet fëmijëve me diagnoza hemato/onkologjike.
Prof. Wolfgang Schwiner nga Universiteti i Gracit, po ashtu prezantoj punimet shkencore në lidhje me fushën e hemato-onkologjisë.
Në konferencë po ligjërojnë edhe ekspertë vendorë që po ashtu po paraqesin përvojat e tyre profesionale me pacientët e trajtuar në Kosovë.