Qendra kryesore mjekësore në Podujevë pa asnjë pediatër

Prishtinë | 02 Dhj 2019 | 10:07 | Nga Ekonomia Online

Papërgjegjësi institucionale është quajtur nga zyrtarët opozitarë mungesa e specialistëve për fëmijë në institucionin kryesor shëndetësor në Komunën e Podujevës.

Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare (QKMF) ka më shumë se një vit që nuk ka pediatër në repartin e fëmijëve. Për këtë kategori të vetmit specialistë që kujdesen për ta janë ata të mjekësisë familjare. Por, në shumë raste këta i referojnë pacientët (sidomos foshnjat) që të shkojnë te pediatri, shkruan sot “Koha Ditore”.

Zyrtarët e Lëvizjes Vetëvendosje në këtë komunë thonë se është shkelje ligjore mospasja e një specialisti të tillë në kujdesin parësor shëndetësor.

PDK e ka quajtur papërgjegjësi institucionale mungesën e një pediatri në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare.

Në anën tjetër, zyrtarët komunalë kanë treguar se në QKMF nuk ka pediatër që prej korrikut të vitit 2018, ku drejtori i atëhershëm i këtij institucioni, Zaik Thaçi, kishte kaluar si drejtor për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale në Komunën e Podujevës.

Zëdhënësi Nazmi Elezi thotë se mjekët e mjekësisë familjare kanë të drejtë të vizitojnë edhe pacientët fëmijë.

Sipas tij, tashmë është duke u punuar në një udhëzim administrativ që do të qartësojë këtë çështje dhe se pasi të hyjë në fuqi do të veprojnë konform këtij dokumenti.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme