Në livadhin e quajtur Mejdan, në një lartësi mbidetare prej një mijë metra, në rajonin e Opojës së komunës së Dragashit, në trekëndëshin kufitar me Maqedoninë dhe Shqipërinë, mbi një mijë të pasionuar pas Pehlivanit në një mot të ftohtë dhe me shi ndoqën garat të rreth 50 luftëtarëve, të kësaj gare të lashtë, e cila ka rreth gjashtë shekuj që vazhdon në këtë zonë, më konkretisht nga ardhja e osmanëve.
Përveç nga Kosova, për këtë garë kishin ardhur pehlivanë nga Shqipëria fqinje dhe Maqedonia, por edhe nga Bullgaria. Në vazhdën e përgatitjeve për luftë, secili garues lyhet me vaj gatimi në pjesën e sipërme të trupit e cila është e zhveshur, por me vaj lyhen edhe pantallonat e lëkurës të cilat i veshin garuesit.
Kjo ka një rol të shumëfishtë. Së pari, forcon dhe mbron lëkurën dhe e bën të vështirë për tu kapur, por, siç sqaroi për Anadolu Agency (AA), Dr. Sulejman Shala, profesor i Edukatës Fizike në Universitetin e Prishtinës “vaji fshin dallimin në peshë duke vënë në shprehje aftësitë konative dhe kognitive”.
“Këtu vjen në shprehje truri, prandaj me anë të kondicionit dhe lëvizjeve mund të barazohen. Ka raste kur kanë fituar ata me peshë shumë të ulët nga kundërshtari, falë vajit”, tha Shala.
Luftërat zhvillohen pandërprerë në një rreth prej 15 ari, Disa zgjasin nga një orë e gjysmë dhe të gjitha ndiqen nga një refer, kryesisht ish-pehlivan, disa madje ish-kampion të shumëfishtë të ish Jugosllavisë.
“Arsyeja pse unë mora pjesë në këtë garë është dëshira ime për të vazhduar këtë traditë. Jam stërvitur për disa muaj rresht dhe arrita të fitoj. Kjo nuk është gara ime e parë, disa herë kam marrë pjesë në gara të ndryshme rajonale dhe ndërkombëtare, por këtë në Opojë kam disi për zemre”, tha Veli Susuri nga rrethi i Prizrenit.
Shukri Hasani kishte ardhur nga Shkupi dhe humbi në luftën e dytë. “Isha agjërueshëm që ishte e vështirë. Kam ardhur nga Maqedonia sepse kisha dëshirë të madhe të marr pjesë në një event sportiv tradicional siç është ky. Humba në finale nga një pehlivan vendor, por ishte faji im sepse nuk isha stërvitur sa duhet”, tha Hasani për AA.
Në mesin e spektatorëve ishin kryesisht ata nga rajoni i Dragashit, por enkas për këtë eveniment kishin ardhur nga Prizreni, Prishtina dhe pjesë të tjera të Kosovës, si dhe nga Shqipëria dhe Maqedonia.
“Kjo është një traditë e gjatë të cilën e kujtoj që nga fëmijëria ime. Është një sport i vjetër i cili gjithmonë është kultivuar në Dragash. Më parë është mbajtur më 1 Maj, në Ditën e Punës”, kujton Salajdin Hajredini.
Profesori Shala, sqaron se Pehlivani në Kosovë, konkretisht në komunën e Dragashit është e vjetër mbi 560 vjet.
Sipas tij, ka lindur në puset Kirk në Turqi, aty ku dikur luftonin ushtarët e sulltanit.
“Në Kirk lufta e pehlivanëve zakonisht mbahet në qershor. Këtu në Kosovë, Maqedoni dhe Shqipëri zhvillohen në zonat ku banojnë muslimanët. Zakonisht gjatë ceremonive të synetimit, gjatë festave kombëtare, në dasma. Njerëzit të cilët kishin kushtet financiare kanë qenë ata që janë marrë me këtë sport që ka bërë fshatin dhe zonën të krenohen”, sqaron Shala.
Duke folur për karakteristikat e këtij sporti, ai thotë se Pehlivani nuk ka kategori prandaj nuk ka matje.
“Këtu i jepet një shans të mençurit dhe atij që është fleksibil dhe ka kondicion. Ky është i vetmi sport në botë i cili i jep një mundësi atij që ka më pak peshë të luftoj me atë që ka më shumë peshë. Secilit i është dhënë mundësia”, përfundoi ai.