Rreth 300 hektarë tokë që gjenden në kadastrat e qytetit dhe të fshatrave të Pejës rrezikohen të hiqen nga pronësia e kësaj komune dhe të shiten nga Agjencia Kosovare e Privatizimit.
Këto toka kanë qenë të ish- kombinateve bujqësore dhe ish- Kombinatit Bujqësor Industrial në Pejë, të cilat me një vendim të miratuar në maj të vitit 2010 nga Kuvendi Komunal i Pejës kanë kaluar në pronësi të Komunës, shkruan sot Koha Ditore.
Këtë vendim të para shtatë vjetëve Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) është duke e kontestuar me padinë e ngritur ndaj Komunës së Pejës me qëllim të shfuqizimit të atij vendimi. Zëdhënësi i AKP-së, Ylli Kaloshi, thotë se Komuna e Pejës nuk ka pasur të drejtë që t’i kalonte ato toka në pronësi të saj.