Peja ka triumfuar në derbin e xhiros së 16-të në Superligën e Kosovës, duke mundur Rahovecin me rezultat 90:85 (20:18, 19:16, 24:24, 27:27).
Ndeshja në ‘Karagaçi’ ishte mjaft interesante dhe dramatike, por pejanët ishin më të vëmendshëm në fund dhe shënuan fitore.
Çereku i parë ishte mjaft i barabartë dhe përfundon 20:18 në të mirë të vendasve. Lojë e ngjashme u zhvillua edhe në periudhën e dytë, që përfundoi 19:16, derisa skuadrat shkuan në pushim me rezultat 39:34.
Peja e thelloi edhe më shumë epërsinë në periodën e tretë, 55:41, por Vreshtarët hyjnë në një seri të suksesshme, duke afruar shifrat në 60:58, ndërsa rezultati në semafor pas 30 minutash ishte 63:58.
Mysafirët afruan rezultatin në 10 minutat e fundit në 66:65, e më pas edhe në 82:80, një minutë para fundit, megjithatë, pejanët ishin më të përqendruar në fund dhe triumfuan 90:85.
Te Peja u dalluan Brandon Walters me 24 pikë e 15 kërcime, Marko Peroviq me 25 pikë e gjashtë kërcime dhe Dardan Berisha me 22 pikë, pesë kërcime e shtatë asistime, kurse te Rahoveci u dalluan Marvin Jones me 35 pikë e katër kërcime, Isaiah Traylor me 25 pikë dhe pesë asistime dhe Alban Veseli me 16 pikë e 10 kërcime.
Peja ka 11 fitore dhe pesë humbje, kurse Rahoveci 12 fitore dhe katër humbje.