Peja ka shënuar fitoren e shtatë radhazi në Prince Caffe Superligë. Pejanët kanë mundur Rahovecin me rezultat 86:76 (23:20, 19:19, 22:17, 22:20), në xhiron e shtatë të elitës.
Në fakt, ndeshjen më mirë e nisën mysafirët me një epërsi prej shtatë pikësh, 6:17, por vendasit shumë shpejt u rikthyen, ku më pas zhvillohet lojë e baraspeshuar, ndërsa çereku i parë përfundon 23:20. Verdhezinjtë vazhduan me lojë të mirë për të ngritur epërsinë në 41:32, por rahovecasit nuk u dorëzuan për të ngushtuar shifrat, ku pjesa e parë përfundon me rezultat 42:39.
Perioda e tretë ishte interesante me Pejën që mundohej të shkëputej dhe Rahovecin që nuk lejonte një gjë të tillë, ndërsa shifrat pas 30 minutash ishin 64:56. Sidoqoftë, në dhjetë minutat e fundit, liderët shkëlqyen, duke krijuar epërsi deri në 18 pikë, 78:60, dhe arritën të menaxhojnë këtë epërsi deri në fund për të triumfuar 86:76.
Përderisa për Pejën ishte fitorja e shtatë në shtatë ndeshje, për Vreshtarët ishte humbja e gjashtë radhazi, ndërsa kanë edhe një fitore në këtë edicion.
Te Peja u dalluan Jalen Tate me 20 pikë e gjashtë kërcime dhe Rodney Purvis me 22 pikë e pesë asistime, kurse te Rahoveci më të mirët ishin Isaiah Maderson me 26 pikë e 13 kërcime dhe Jahi Carson me 16 pikë e 11 asistime.