Organizata jo-qeveritare Rrjeti i Edukatorëve Bashkëmoshatar – PEN, për nder të Ditës Ndërkombëtare të Vajzave, ka organizuar aktivitetin parakalim me biçikleta, raporton EkonomiaOnline.
Koordinator i projektit, Bledor Kalle, tha për EkonomiaOnline se përmes këtij aktiviteti synojnë të rrisin vetëdijen e pjesëmarrjes së vajzave dhe grave në sport, si dhe promovimin e një stili jetese të shëndetshme.
“Qëllimi i këtij organizimi është të ngritë vetëdijen tek njerëzit sepse është e rëndësishme në shoqëri mu angazhua të gjithë në mënyrë të barabartë dhe të kemi drejtësi gjinore të barabartë dhe me arrit me i thye këto stereotipa të cilat i ka krijuar shoqëria”, tha ai.
Sipas tij gjithmonë kjo ditë shënohet me aktivitete sportive dhe që ka për qëllim promovimin e jetës së shëndetshme.
“Ky event apo ‘Dita Ndërkombëtare e Fëmijës Vajzë’ është hera e tretë që po shënohet nga organizata PEN dhe gjithmonë mundohemi me shënua me anë të sportit ose me promovua një lloj të sportit dhe sivjet kemi vendos qe me i përdor biçikletat për një parakalim këtu në sheshin ‘Zahir Pajaziti’ dhe me promovua një lifestyle të shëndetshëm në lidhje me biçikletat dhe në lidhje me vajzat dhe djemtë e rinj. Këtu i kemi 50 biçikleta të cilat PEN-i i ka sponsorizua dhe kush do mund të merr pjesë në mënyrë vullnetare”, tha ai.
Parakalimi u bë nga sheshi “Zahir Pajaziti” deri te Kuvendi i Kosovës.