Organizata PEN ka përmbyllur me sukses projektin gati dy vjeçar “Social ACT”, i cili u zhvillua në bashkëpunim me 8 komuna të Kosovës: Fushë Kosovën, Ferizajn, Istogun, Gjakovën, Lipjanin, Mitrovicën, Pejën dhe Prizrenin, raporton Ekonomia Online.
Projekti sipas drejtuesve të PEN-it ka sjellë rezultate motivuese tek 100 të rinj të moshës 18-25 vjeçare në ngritjen e kapaciteteve në të menduarit kritik, shkathtësitë avokuese, të buta dhe në përpilimin dhe udhëheqjen e inovacioneve sociale.
Drejtori Ekzekutiv i PEN-it, Bujar Fejzullahu, tha se është i kënaqur me rezultatet e arritura deri më tani të PEN-it duke u fokusuar në zgjerimin e kapaciteteve të të rinjve kosovarë.
“Është motivuese rezultati i krahasuar i fillesave të PEN-it me atë që është bërë sot. E nisem si një iniciativë të një grupi të njerëzve vullnet mirë e me atë vullnet u përballëm me sfida duke mbërritur në një gjendje ku rinia do të fuqizohet e njihet si komponenti më i rëndësishëm i vendit. Ne jemi angazhuar që përmes projekteve të ndryshme të fuqizojmë rininë duke u dhënë hapësirën e nevojshme duke shfaqur idetë e tyre që i bënë më pas histori suksesi”, tha Fejzullahu.
Linda Hoxha, menaxhere e projekteve KCSF, tha se shpreson se PEN-i do të mbajë gjallë këtë aktivizëm të vullnetarëve dhe të rinjve.
“Organizata PEN ka bërë një punë të mrekullueshme me këtë projekt duke ngritur kapacitetet e të rinjve, të menduarit kritik, në shkathtësitë avokuese, të buta dhe udhëheqëse e inovacioneve sociale, shpresojmë që intervenimet e PEN-it do kenë qëndrueshmëri dhe do arrijnë ta mbajnë këtë aktivizëm të vullnetarëve dhe të rinjve”, tha Hoxha.
Zv. ministrja për Kulturë, Rini dhe Sport, Burbuqe Bakija-Deva, tha se MKRS-ja ka për synim fuqizimin e të rinjve në jetën aktive dhe për këtë ministria është hë mbështetje të të rinjve vendës.
“MKRS si mision ka fuqizimin e të rinjve dhe krijimin e mjedisit shoqëror të tyre për promovimin e pjesëmarrësve të rinj në jetën aktive shoqërore dhe ofrimin e shërbimit të barabartë për të gjithë”, tha Bakija-Deva.
Katharina Zangerl nga ACT NOW Vienna tha se të rinjve duhet t’i jepet më shumë hapësirë në mënyrë që ata të sugjerojnë se si mund të zgjidhet një problem që ndikon drejtpërdrejtë tek ta.
Ajo tha se në Vjenë ishte mbajtur një konferencë e tillë për të rinj dhe ka prezantuar rezultatet e dala nga ajo konferencë.
“Kuptuam se pjesëmarrja e të rinjve është serioze dhe duhet të merret si e tillë, dëgjuam se shpesh ka pak vend për të rinjtë për të marrë pjesë, por edhe nëse ata marrin pjesë sugjerimet e tyre nuk merren me rëndësinë e veçantë. Mesazhi kryesor nga të rinjtë për vendimmarrësit ishte merrni serioz të rinj le të dëgjohet zëri i tyre sepse ata i dinë realitetet dhe mund të gjejnë zgjidhje”, tha ajo, raporton EO.
Sihana Bejtullahu, menaxhere e projektit PEN
ka folur rreth implementimit të këtij projekti së bashku me të rinjtë të cilët
kanë qenë pjesëmarrës.
Psikologu Fitim Uka para të rinjve u tregoi për mënyrat dhe mundësitë që lindin
pas zhgënjimeve që hasin ata.
Aktivistët e Social ACT, Evgina Kallo dhe Baton Isniqi para të pranishmëve kanë shfaqur eksperiencën e tyre gjatë zbatimit të këtij projekti ku ata u shfaqën të entuziazmuar me atë që kanë përfituar gjatë projektit.
Në fund u zhvillua diskutimi “Eye to eye” ku 3 nënkryetarët e komunave të Prizrenit, Lipjanit dhe Gjakovës ishin përballë 3 të rinjve vullnetarë në lidhje me problemet e të rinjve.
Të gjitha këto u thanë në konferencën e organizuar nga PEN-i “Grow – Connect – Impact”!
Të gjitha iniciativat në kuadër të këtij projekti u zhvilluan në periudhën Janar 2018 – Maj 2019, me gjithsej 1,020 përftues direkt dhe rreth 65,440 përftues indirekt.
Projekti “Social Act” mbështetet nga projekti “Përkrahja e Luksemburgut për shoqërinë civile në Kosovë”, i cili mbështetet nga Qeveria e Dukatit të Madh të Luksemburgut dhe menaxhohet nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile – KCSF.
Organizata PEN organizon konferencën “Grow-Connect-Impact” from Ekonomia Online on Vimeo.