Detyra më urgjente e Këshillit të Sigurimit është të angazhohet në mënyrë proaktive për përfundimin e luftës në Ukrainë, tha presidenti Stevo Pendarovski dje pasdite në Nju Jork në fjalimin e debatit të hapur për ruajtjen e paqes ndërkombëtare dhe sigurinë e Këshillit të Sigurimit, me temën “Ruajtja e qëllimeve dhe parimeve të Kartës së OKB-së përmes multilateralizmit efektiv: ruajtja e paqes dhe sigurisë në Ukrainë”.
“Mënyra e vetme për të arritur këtë qëllim është përmes diplomacisë dhe negociatave, të bazuara në respektimin e sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht. Për këtë qëllim, hapi i parë duhet të jetë një armëpushim i menjëhershëm dhe pa kushte, për të krijuar një mjedis për fillimin e negociatave. Gjatë gjithë procesit, Kombet e bashkuara duhet të themelojnë një mision paqeruajtës me detyrë kryesore monitorimin e armëpushimit dhe ndihmës humanitare për civilët”, theksoi presidenti Pendarovski.
Agresioni i Federatës Ruse kundër Ukrainës, siç tregoi Pendarovski, i dha një goditje të fortë paqes dhe sigurisë ndërkombëtare, parimeve themelore të së drejtës ndërkombëtare dhe rendit ndërkombëtar.
“Kjo luftë sfidoi multilaterizmin, si bazë e rendit ndërkombëtar, në një nivel të paprecedentë. Ndërsa, siç e dimë të gjithë, arkitektura ndërkombëtare dhe e sigurisë, reflektimi më i rëndësishëm i së cilës janë Kombët e Bashkuara, synon multilaterizmin”, tha presidenti.
Ai vlerësoi se situata aktuale është rezultat i injorimit të detyrimeve që përmban Karta e OKB-së e vitit 1945.
“Pa respektuar barazinë sovrane dhe integritetin territorial të çdo vendi anëtar, nuk mund të flasim për multilateralizëm efektiv. Deri më tani kemi parë disa përpjekje për të ridefinuar themelet e rendit ndërkombëtar, por asnjëra prej tyre nuk ka marrë mbështetje aq të gjerë sa parimet që bota e qytetëruar vendosi pas tmerreve të Luftës së Dytë Botërore”, theksoi Pendarovski.
Në këtë kuptim, siç theksoi ai, bllokada në të cilën ndodhet Këshilli i Sigurimit si organi kryesor i OKB-së, i cili synon ruajtjen dhe promovimin e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare, është nxitur pikërisht nga mosrespektimi dhe, do të thoja, edhe anashkalimi i ndërgjegjshëm i parimeve bazë të rendit ndërkombëtar.
“Është e qartë se kjo bllokadë zvogëlon besueshmërinë dhe besimin e njerëzve se Kombet e Bashkuara mund të arrijnë efektivisht objektivin kryesor për të cilin u krijua gati tetë dekada më parë. Pa një alternativë të besueshme në perspektivën e rendit ndërkombëtar aktual, i cili do të ketë mbështetjen e shumicës së kombeve, është e kuptueshme pse zhgënjimi i njerëzve nga mosveprimi i OKB-së po bëhet më i fortë”, theksoi kreu i shtetit maqedonas.
Është e qartë, shtoi Pendarovski, se bota bashkëkohore është shumë e ndryshme nga bota e vitit 1945 dhe Këshillit i Sigurimit të OKB-së duhet të përballet dhe të jetë në harmoni me këtë realitet të ri.
“Në kuadër të debateve aktuale për reformën eventuale të organit kryesor të OKB-së, duhet të shqyrtohet tërësisht çështja e vetos së anëtarëve të përhershëm, veçanërisht kur njëri prej tyre është i përfshirë në konflikt”, shtoi presidenti.
Sipas tij, detyra më urgjente e Këshillit të Sigurimit është që të angazhohet në mënyrë aktive për përfundimin e luftës në Ukrainë. E vetmja mënyrë për të arritur këtë qëllim është përmes diplomacisë dhe negociatave, bazuar në respektimin e sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht.
“Për këtë, hapi i parë duhet të jetë një armëpushim i menjëhershëm dhe pa kushte, që të krijohet ambient për fillim të negociatave. Gjatë gjithë procesit, Kombet e Bashkuara duhet të krijojnë një mision paqeruajtës me detyrë kryesor për të mbikëqyrë armëpushimin dhe ndihmën humanitare për civilët”, tha presidenti.
Pendarovski theksoi se komponentët kryesorë të marrëveshjes së ardhshme paqësore duhet të jenë, së pari, respektimi i plotë i integritetit territorial të Ukrainës, tërheqja e plotë e trupave ruse, mundësimi i kthimit të të gjithë refugjatëve, mbështetje e madhe për rindërtimin pas konfliktit të vendit të shkatërruar dhe garanci ndërkombëtare për të drejtat e të gjitha komuniteteve etnike dhe fetare që jetojnë në Ukrainë për shekuj me radhë.
Lufta në Ukrainë ka dëmtuar seriozisht kredibilitetin e organizatës botërore, por ofron, gjithashtu, një mundësi të jashtëzakonshme për Këshillin e Sigurimit që të veprojë në përputhje me partimet e Kartës së OKB-së dhe të ndihmojë të kthehet besimi i njerëzve në Kombet e Bashkuara si një organizatë e domosdoshme globale”, theksoi Pendarovski.