Shaip Kaleja, rreth të 70-ve, është njëri nga pensionistët i cili shprehet skeptik rreth paralajmërimit të Qeverisë së Kosovës për rritje të pensioneve.
Në qendrën e pensionistëve në Prishtinë, ku pensionistët shpesh kalojnë kohën duke kuvenduar, luajtur shah, domino apo duke lexuar shtypin ditor, Kaleja thotë se rritja e pensioneve është e domosdoshme për një jetë të dinjitetshme. Ai për 45 vjet ka punuar në sistemin e arsimit dhe preferon që pensioni të jetë së paku mbi shumën 250 euro.
“Nëse është e vërtet e presim me gëzim, por nuk besoj. Pensionet janë shumë të vogla. Unë marr 172 euro në muaj. Çdo pension që është nën 250 euro është lëmoshë”, thotë Kaleja.
Një tjetër pensionist me emrin, Rexhep është mbi të 70-at dhe ka punuar për 20 vjet në njërën nga ndërmarrjet publike. Por, ai nuk i ka plotësuar kriteret për pension kontribut-pagues, dhe si rrjedhojë pranon një pension prej vetëm 75 euro.
Jeta e një pensionisti në Kosovë, rrëfen ai, është shumë e vështirë. Rexhepi thotë se pensioni nuk i mjafton as për gjërat elementare, por tregon se për të kujdeset djali i cili punon jashtë Kosovës.
“Nuk besoj (në rritje pensioni) deri sa t’i marr. Mos ta kisha djalin në Gjermani që më ndihmon, nuk do kisha mundësi të blej as bukë. Pensioni i Kosovës nuk mjafton asgjë”, thotë Rexhepi.
Qeveria e Kosovës gjatë javës së fundit ka paralajmëruar se në kuadër të projektimit të buxhetit për vitin 2019 do të rriten pensionet prej 15 deri në 20 për qind nga pensioni bazë.
Përfaqësues të pensionistëve në Kosovë e vlerësojnë të konsiderueshme këtë rritje, duke shtuar se një veprim i tillë ka qenë i domosdoshëm.
Rritja e pensioneve është paralajmëruar publikisht gjatë një takimi të zhvilluar ndërmjet ministrit të Financave, Bedri Hamza, kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli dhe përfaqësuesve te Lidhjes së Pensionistëve.
Nisur nga deklaratat e bëra pas atij takimi, Hasan Berisha, sekretar në Lidhjen e Pensionistëve të Kosovës thotë se tashmë dihen edhe përqindjet e premtuara për rritje.
“Ministri i Financave ka konfirmuar se rritja e pensioneve ka hyrë në kuadër të buxhetit 2019. Për pensionet e pleqërisë, të cilët kanë marrë 75 euro pensionet, vitin tjetër pensioni do rritet për 20 për qind”.
“Ndërsa për pensionet kontribut-pagues shuma mujore do rritet për 15 për qind. Baza e pensionit kontribut-pagues është 158 euro deri në 240. Ne jemi të kënaqur me një hap të tillë edhe pse është një korrigjim i vogël, por i domosdoshëm, sepse pensionet në periudhën e pasluftës nuk kanë qenë ekuivalent me meritat”, thekson Berisha.
Sipas një përllogaritje ende jozyrtare, i bie se pensionet e pleqërisë, ata që marrin nga 75 euro aktualisht, me buxhetin e ri do të marrin 90 euro. Kurse pensionistët kontribut- pagues nga shuma prej 230 eurove, do të marrin 34 euro më shumë në muaj.
Ndryshe, numri i përgjithshëm i pensionistëve në Kosovë është 170 mijë. Prej tyre, 125 mijë janë shfrytëzues të pensionit të pleqërisë, që marrin nga 75 euro në muaj, ndërsa 45 mijë janë kontribut-pagues, që ndahen në katër kategori, të cilët marrin nga 158 deri në 230 euro në muaj në bazë të përgatitjes shkollore, thuhet në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë të Ministrisë se Punës dhe Mirëqenies Sociale.
Bahri Xhaferi, drejtor i Departamentit të Pensioneve në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, për Radion Evropa e Lirë, tregon se buxheti i përgjithshëm për vitin 2018 për pensionet në Kosovë është mbi 200 milionë euro.
Ndryshe, rritje të pensioneve në dekadën e fundit ka pas herë pa herë, apo zakonisht gjatë fushatave zgjedhore.
Fillimisht shuma e pensioneve ka qenë 45 euro në muaj për personat mbi 65 vjeç, kurse ata që kanë paguar kontributet kanë marrë 85 euro në muaj. Më pas janë rritur në 60, respektivisht 112 euro.
Ndërsa në vitin 2016 është bërë kategorizimi i pensionistëve në bazë të përvojës së punës, nivelit arsimor dhe karakteristikat tjera, me çka edhe shuma e pensioneve ka ndryshuar në bazë të kategorisë.
Buxheti i Kosovës për vitin 2019, sipas projektimit aktual, pritet të arrijë vlerën 2.3 miliardë euro.