Nga vazoja e katërt (D) do të përfshihet në short përfaqësuesja U-21 e Kosovës në futboll. Të martën (sot) në Nyon të Zvicrës do të tërhiqet shorti për kualifikimet për kampionatin evropian të Shpresave (U-21) të vitit 2021.
Për kualifikimet e kaluara Kosova ishte e fundit në vazon e fundit. Dhe me vetëm një cikël ia ka dalë të ngrihet në mes të vazos së katërt, duke lënë prapa plot 21 përfaqësuese. Kjo ndër të tjera dëshmon për suksesin që kishte pasur ekipi U-21 i Kosovës në kualifikimet e para të tij, shkruan Koha Ditore.
Dhe gjenerata e parë e përfaqësueses U-21 të Kosovës tashmë mund të llogaritet e “pensionuar”. Natyrisht vetëm për paraqitje me përfaqësuesen Shpresa (U-21). Gjenerata që u vlerësua lart, vendin ia lëshon gjeneratës së lojtarëve të lindur më 1 janar të vitit 1998 apo më pas. Pra për ekipin U-21, më nuk mund të luajnë lojtarët e lindur në vitet 1996 e 1197 që bartën barrën në kualifikimet për “Euro 2019”.
Dy prej lojtarëve që u vlerësuan për paraqitjet e tyre në kualifikimet e kaluara thonë se misioni i tyre është mbyllur me plot sukses. Mesfushori Rron Broja, që në shumë prej ndeshjeve ishte kapiten dhe sulmuesi i krahut Florent Hasani besojnë se U-21 do të vazhdojë me paraqitje të mira, me gjithë ndërrimin e gjeneratës. Broja e Hasani e kanë mbyllur karrierën e tyre me U-21 të Kosovës, për shkak të moshës.