Pensionistët dhe veteranët ende s’i kanë marrë pensionet

Prishtinë | 25 Jan 2019 | 14:30 | Nga Ekonomia Online

Veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe pensionistët, ende nuk i kanë marrë pensionet e tyre. Madje, ata as nuk janë njoftuar paraprakisht dhe po vazhdojnë t’i presin paratë. Por, nga BQK-ja njoftojnë se ato do të transferohen sot para orës 16:00.

Në adresë të portalit Koha.net, që nga dita e djeshme kanë ardhur një numër i madh ankesash nga veteranët e pensionistët se pensionet s’u kanë dalë. Ndonëse, data 23 dhe 24, janë ditët kur pensionet çdo muaj u shkojnë në konto.

Koha.net ka provuar të kontaktojë Ministrin e Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, për të marrë informacione rreth kësaj çështje, por ai nuk e ka hapur telefonin.

Kushtrim Ahmeti, zëdhënës në BQK, në një përgjigje për Koha.net tha se deri më sot në Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës nuk janë procesuar mjetet e dedikuara për kryerjen e pagesave në 16 kategori pensionale.

“Këto mjete sot pritet të transferohen më së largu deri në orën 15:15”, tha Ahmeti.

Kujtojmë se Projekt-Buxheti për vitin 2019, ende nuk është miratuar në lexim të dytë.

Partia Socialdemokrate, kishte vënë pesë kushte kur si parti opozitare bëri të mundur të kalojë në parim ky Projekt-Buxhet. Por, ka thënë se nuk do ta votojë buxhetin në lexim të dytë nëse s’përmbushen të gjitha kushtet e tyre.

Koha.net ka mësuar nga një burim brenda Qeverisë se buxheti në lexim të dytë do të votohet në fund të këtij muaji.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme