Në mur mbajnë fotografitë e tyre, por shpresat se pushtetarët do t’u përmirësojnë gjendjen u janë venitur pensionistëve në Qendrën për qëndrim ditor të të moshuarve në Prishtinë.
Rreth 200 mijë pensionistë në Kosovë presin ditën kur do të marrin lajmin për rritjen e pensioneve të tyre, raporton Kiks Kosova.
Hera e fundit që ata u gëzuan nga një kumt i tillë ishte në janar të 2016-ës.
Që nga ajo kohë, pensionet variojnë nga 100 deri në 265 euro, varësisht nga kontributi në fondin pensional që kishte Kosova, deri në përfundim të luftës, kur ky fond u tërhoq kundërligjshëm nga administrata serbe.
Pensionistët janë të zhgënjyer nga deputetët, për të cilët thonë se nuk kanë qenë kurrë zëri i tyre në Kuvend.
Mehdi Gashi, i cili ka punuar 35 vjet si shofer i Trafikut Urban, merr vetëm 170 euro pension, shumë e cila thotë se nuk i mjafton as për ilaçe.
Nën lëkurën e tij janë edhe mijëra pensionistë të tjerë anë e kënd vendit, të cilët nuk kanë asnjë shpresë që gjendja e tyre do të përmirësohet ndonjë ditë.
Pas rritjes së çmimeve, pensionistët thonë se po mbijetojnë vetëm falë ndihmës së fëmijëve e familjarëve të tyre.
Përparësia e vetme që ka ai dhe pensionistët e tjerë të Prishtinës është udhëtimi falas në Trafikun Urban.
E gjendja e mjerueshme në të cilën ndodhen, i bënë të kenë nevojë edhe për beneficione ose lehtësime të tjera.
Sipas tyre, kërkesat po u injorohen, pasi që në sytë e shtetit thonë se janë tepricë.