Pentagoni mohon raportimet për prezencë prej 1000 trupave ushtarake në Siri

Prishtinë | 18 Mar 2019 | 09:05 | Nga Ekonomia Online

Pentagoni ka mohuar një raport të një gazete se është duke planifikuar të mbajë 1,000 trupa ushtarake në Siri, vendim, i cili do të kundërshtonte lajmërimin paraparak për të tërhequr shumicën e trupave amerikane nga ky shtet.

“Një pretendim i raportuar nga një gazetë e madhe amerikane, që ushtria e Shteteve të Bashkuara është duke planifikuar të mbajë 1,000 trupa në Siri është në fakt i gabuar”, ka thënë shefi i shtabit të përbashkët, gjenerali amerikan, Joseph Dunford.

“Nuk ka pasur ndryshime në planin që është bërë publik në muajin shkurt dhe ne vazhdojmë të zbatojmë vendimet e presidentit për të tërhequr pjesën më të madhe të trupave”, ka shtuar ai.

Gazeta, The Wall Street Journal ka raportuar se negociatat me Shtetet e Bashkuara, aleatët evropianë dhe Turqinë, kanë dështuar të sigurojnë një marrëveshje për të krijuar një zonë të sigurt në verilindje të Sirisë, në mënyrë që të mbrohen luftëtarët kurdë, që kanë bashkëpunuar me forcat perëndimore.

Si pasojë e kësaj situate, gazeta ka raportuar se Pentagoni është detyruar që të ketë prezencë amerikane prej 1,000 trupave në shtetin e shkatërruar nga lufta.

Në muajin dhjetor të vitit të kaluar, presidenti amerikan, Donald Trump pati njoftuar se do të tërheqë të gjithë 2,000 trupat e SHBA-së nga Siria.

Kritikët, duke përfshirë disa nga Partia Republikane, kanë kundërshtuar këtë vendim duke thënë se një gjë e tillë do t’i linte kurdët nën mëshirën e Turqisë.

Disa prej tyre kanë pretenduar edhe se ky vendim do të nënkuptonte fitore për Rusinë dhe Iranin, që kanë prezencë ushtarake në Siri dhe mbështesin presidentin sirian, Bashar al-Assad.

Si pasojë e këtyre kritikave, Shtëpia e Bardhë pati thënë fillimisht se SHBA-ja do të mbajë 200 “paqeruajtës” në Siri, ndërsa më vonë ka rritur këtë numër në 400.

Gazeta The Wall Street Journal ka thënë, duke u bazuar në zyrtarë amerikanë, se tanimë të gjithë luftëtarët e grupit militant, Shteti Islamik janë dëbuar nga ky territor, dhe se zyrtarët amerikanë do të fillojnë tërheqjen e qindra trupave.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme