Pentagoni i reagon Vulinit, pas deklaratave nxitëse kundër gjeneralit amerikan

Prishtinë | 15 Mar 2018 | 23:55 | Nga

Departamenti amerikan i Mbrojtjes të enjten ka thënë se “keqinformimi” e ka shtyrë ministrin serb të Mbrojtjes që të kritikojë një gjeneral të lartë amerikan, i cili kishte paralajmëruar se Rusia po ndërhynte në punët e shtetit ballkanik.

Gjenerali i ushtrisë amerikane, Curtis Scaparrotti, shef i forcave amerikane në Evropë, ka thënë gjatë një dëshmie në Kongresin amerikan, më herët këtë muaj, se Serbia është e cenueshme nga ndërhyrja ruse.

Menjëherë pas kësaj deklarate, ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Aleksandar Vulin, ka sulmuar Scaparrottin, duke thënë se gjenerali amerikan e ka akuzuar Serbinë se përbën rrezik për Ballkanin.

“Që nga viti 1999, nuk ka pasur deklaratë më të ashpër, më të papërgjegjshme dhe më të rrezikshme sesa ajo e gjeneralit Scaparrotti”, ka thënë Vulin.

Por, të enjten, Pentagoni ka thënë se komentet e Vulinit nuk kanë qenë të bazuara në informata të sakta.

“Keqinformimi ka nisur të shfaqet në mediat serbe, të cilat ia atribuonin gjeneralit Scaparrotti një deklaratë të pavërtetë, me qëllim nxitjen e urrejtjes serbe kundër tij, dhe kundër Shteteve të Bashkuara”, ka thënë zëdhënësi i Pentagonit, Johnny Michaels, për Reuters.

“Më pas, një zyrtar i lartë serb lëshoi një komunikatë, të bazuar në atë keqinformim, që i dha karakter të pavërtetë dëshmisë së gjeneralit Scaparrotti”, ka shtuar ai.

Një zyrtar nga Komanda Evropiane e ushtrisë amerikane, duke folur në kushte të anonimitetit, e ka fajësuar ueb-sajtin rus të lajmeve, Sputnik, dhe disa portale të tjera, për krijim të informatave të rreme. Zyrtari ka thënë se ndikimi rus ka ndihmuar në rritjen e ndjenjave anti-amerikane në Serbi.

Në dëshminë e tij para Komisionit për Shërbime të Armatosura të Senatit amerikan, më 8 mars, Scaparrotti nuk e ka përmendur Serbinë si rrezik për Ballkanin, sipas një transkriptimi të deklaratave të tij.

Por, ai ka qenë kritik ndaj rolit të Rusisë në Serbi, e cila ka lidhje historike me Moskën, përkundër marrëdhënieve të forta aktuale ndërmjet ushtrisë serbe dhe NATO’s.

“Rusia po punon në Ballkan, dhe unë mendoj se i kemi larguar sytë nga ajo zonë”, ka paralajmëruar Scaparrotti komisionin e Senatit.

NATO ka akuzuar Rusinë për rritjen e një fushate keqinformimi kundër Perëndimit, që prej aneksimit të rajonit ukrainas të Krimesë nga ana e shtetit rus, më 2014.

Zyrtarët amerikanë thonë se incidenti në Serbi tregon se Shtetet e Bashkuara po çalojnë në luftën për parandalimin e keqinformimit të qëllimshëm nga ana e Rusisë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme